Fjalë Kyçe

Prokuroria dhe policia japin detaje për aksionin në veri

Prokuroria dhe policia japin detaje për aksionin në veri

Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi aksionin që ka ndërmarrë për arrestimin e disa personave për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha se në këtë aksion kanë qenë të përfshirë rreth 100 zyrtarë policorë, ndërsa janë bastisur tri lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës.

Ai tha se në këtë aksion është arrestuar një person në kërkim, ndërsa një tjetër për të cilin kishte urdhër nuk është hasur nga policia. Sipas tij, është arrestur edhe një tjetër i cili nuk ka qenë në kërkim.

 “Në bazë të urdhër kontrollit është arritur të arrestohet një zyrtar policor, ndërsa një zyrtar policor nuk është takuar ose nuk është hasur nga policia. Është arrestuar një person tjetër por që nuk ka qenë në urdhër kërkim. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni të konfiskoj 6 armë, prej tyre 2 zyrtare”, tha ai.

Ndërsa, prokurori Sylë Hoxha, tha se e ka intervistuar zyrtarin policor të arrestuar dhe se është deklaruar i pafajshëm, por që tha se kanë prova të mjaftueshme.

Ai tregoi edhe arsyen e arrestimit të këtyre personave.

“Ne i kemi zgjeruar hetimet për veprat penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe keqpërdorim i pozitës ose detyrës zyrtare. Gjatë këtij aksioni një person zyrtar policor është hasur dhe është arrestuar. E kam intervistuar dhe kam parashtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit. Një person tjetër që nuk ka qenë në urdhëresën e gjykatës i është gjetur një pistoletë, ai dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe është liruar pas intervistimit”, tha Hoxha.

Ai shtoi se grupi Millan Radijoqiqit është mirë i organizuar dhe ka ndikim edhe në Policinë e Kosovës në veri dhe në institucione.

“Personi i arrestuar sot është hetues dhe ne dyshojmë se ka punuar në mënyrë selektive dhe me direktiva të dikujt tjetër. Ka pasur raste kur i kanë kryer hetimet shpejt e shpejt, ka pasur raste kur nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, tha ai.