Fjalë Kyçe

Publikohet videoja, të dyshuarit për fajde numërojnë parat, përmendin edhe Kadri Veselin

Publikohet videoja, të dyshuarit për fajde numërojnë parat, përmendin edhe Kadri Veselin

Një video ekskluzive e siguruar nga KOHA shpërfaq dyshimet për përfshirjen e disa personave në veprat penale fajde, detyrim dhe mashtrim.

Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika shihen në këtë video dhe personi i tretë që është pala e dëmtuar, ndërsa personi i katërt nuk përmendet fare nga Prokuroria dhe Policia.

Videoja është realizuar më 2012, e në një pjesë të saj përmendet edhe emri i kryetarit aktual të PDK-së, Kadri Veseli.

Nën dyshimin për kryerjen e këtyre veprave penale, Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona.

Të arrestuar janë: Ismet Osmani, Ilir Bojku, Adil Thaçi, Mentor Maqani dhe Rrahim Hashimi, ndërkaq, Ekrem Lika dhe Zekë Jasiqi ende janë në arrati.

“Personat e sipërcekur janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, të cilët vite më parë kishin pasur qëllim përfitimin në mënyrë të kundërligjshme – joproporcionale të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme (dy shtëpi në Prishtinë, një objekt, automjete dhe para). Vlera e përgjithshme e përfituar në mënyra të paligjshme dyshohet-vlerësohet në më shumë se 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se kapërcen vlerën prej 6 milionë eurosh”, thuhet në njoftimin nga Policia e Kosovës.

Siç merr vesh “Koha Ditore”, i arrestuari Ismet Osmani, njihet si pronar i kazinove dhe bastoreve.
Sipas po të njëjtit burim Ismet Osmani-i njohur si “Curri” në bashkëpunim me dy persona të tjerë i kanë dhënë para me fajde një biznesmeni nga Prishtina.

Kur biznesmeni ua ka vonuar pagesat, Osmani sipas burimeve ia ka marrë shtëpinë në qendër të Prishtinës.

Në aksionin e policisë, janë zhvilluar edhe disa bastisje dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: “para të gatshme prej 10,250.00 €, dokumente të ndryshme, kontrata të ndryshme të shitblerjeve dhe telefona.

Ndaj 5 personave të arrestuar, është caktuar masa e ndalimit 48 orë.