Fjalë Kyçe

Sërish shpallen fajtorë tre të akuzuarit për fajde dhe polici që akuzohej për korrupsion

Sërish shpallen fajtorë tre të akuzuarit për fajde dhe polici që akuzohej për korrupsion

Për të dytë herë me radhë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhelal, Nuhi dhe Falmur Hoxhës, të cilët akuzohen për fajde, si dhe ndaj policit Hamdi Jashari, i akuzuar për fajde dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, i akuzuari Xhelal Hoxha është dënuar me tre vjet burgim dhe dy mijë euro gjobë për veprën penale të fajdesë, të kryer në vazhdimësi.

Nuhi Hoxha është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht që nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër penale brenda një viti. Hoxha është i obliguar të paguajë edhe 500 euro gjobë.

Kurse, i akuzuari Flamur Hoxha, për fajde është dënuar me tetë muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, polici Jashari, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare është dënuar me shtatë muaj burgim me kusht, kurse për ndihmë në fajde është shpallur i pafajshëm.

Të akuzuarit janë te obliguar të paguajnë edhe shpenzimet procedurale në vlerë prej 100 euro, secili veç e veç.

Ndërkaq, të akuzuarit Nuhi Hoxha do t’i kthehen automjetet e konfiskuara, , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 nëntor 2017, Xhelal Hoxhën e kishte dënuar për veprën penale në vazhdimësi “fajde” dhe për këtë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vite si dhe dënim me gjobë prej 1000 euro.

Nuhi Hoxha, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale “fajde” dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Për veprën penale të fajdesë ishte dënuar me tetë muaj burgim dhe 500 euro gjobë edhe Flamur Hoxha, kurse polici Hamdi Jashari, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdesë, ishte dënuar me dënim unik prej një viti burgim dhe 500 euro gjobë.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë, të gjithë të dënuarit përmes mbrojtësve të tyre ishin ankuar në Gjykatën e Apelit duke kërkuar nga kjo e fundit që t’i lirojë nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim.

Ankesat e të akuzuarve ishin shqyrtuar në Apel në seancën e 15 shkurtit të vitit 2019.

Sipas vlerësimit të Apelit, ankesat e të akuzuarve janë të bazuar pasi që, aktgjykimi i atakuar me ankesë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për faktin se dispozitivi  është në kundërshtim me arsyetimin si dhe gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare ndërsa arsyet të cilat i ka dhënë  janë të pa mjaftueshme.

Po ashtu, sipas Apelit,  gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë  se cilat fakte dhe për çfarë arsye i ka konsideruar të vërtetuara apo të pa vërtetuara, nuk ka vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mos aprovimit të propozimeve të palëve si dhe nuk ka dhënë arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje penalo-juridike.

“Gjykata e shkallës së parë nuk ka analizuar të gjitha provat materiale dhe jo materiale veç e veç dhe të njëjtat nuk i ka ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë e sidomos kur kemi parasysh faktin se shumica e të dëmtuarve nuk e ndiejnë vetën të dëmtuar dhe në këtë rast gjykata  është dashur që të bëj krahasimin e dëshmive  të tyre të dhëna në procedurat e mëparshme, të vlerësoj se a janë të ligjshme dhe konform dispozitave të procedurës penale e pastaj pas ndërlidhjes së secilës prej tyre të merr vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Sa i përket konfiskimit të automjeteve që ishin bërë të akuzuarit Nuhi Hoxha, Apeli thekson se  qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se  nga aktgjykimi nuk mund të kuptohet se nga kush janë konfiskuar automjetet në fjalë dhe nuk janë dhënë asnjë arsyetim lidhur me arsyet e konfiskimit dhe se  automjetet në fjalë a janë të përfituara nga vepra penale për të cilat akuzohen të akuzuarit apo janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Në rigjykim, Apeli e udhëzon gjykatën e shkallës së parë se duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e lartcekura, t’i eliminojë të gjitha shkeljet e cekura, t’i administrojë të gjitha provat dhe të njëjtat t’i vlerësojë në pajtim me dispozitën e nenit 370, par.6 dhe 7 të KPP, dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara në provat e administruara e mandej të merr vendim përkatës.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Xhelal dhe Flamur Hoxha, nga viti 2014 e tutje, kanë kontraktuar dhe pranuar shumë jo proporcionale të të hollave. Të njëjtit, supozohet se si fajde kanë pranuar rreth 32 mijë e 800 euro nga të gjithë të dëmtuarit, me të cilët kanë kontraktuar.

Kurse, i pandehuri Nuhi Hoxha, akuzohet se ka ndihmuar të akuzuarit e lartpërmendur duke e shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin, të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit. Me këtë rast, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale të fajdesë.

Polici Hamdi Jashari, sipas prokurorisë, akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Jashari, sipas aktakuzës, është bërë ndërmjetësues mes të akuzuarit Xhelal Hoxha dhe Mehmet Rizah Ibishit.

Prokuroria pretendon se Jashari ka ndërmjetësuar në mes të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve. Jashari akuzohet edhe për ndihmë në fajde, për veprimet e lartpërmendura.