Fjalë Kyçe

Tahiri: Konfiskimi i pasurisë do t’i dërrmojë të korruptuarit kudo që janë

Tahiri: Konfiskimi i pasurisë do t’i dërrmojë të korruptuarit kudo që janë

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri së bashku me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kanë vizituar Depon Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, në të cilën gjenden asetet e konfiskuara dhe të sekuestruara nga ana e institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Tahiri ka thënë se konfiskimi i pasurisë së paligjshme ka qenë dhe do të mbetet prioritet themelor edhe në të ardhmen dhe instrument kryesor në luftën kundër korrupsionit.

“Vlera e aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara deri më tani ka arritur rreth 40 milionë euro. Gjithë kjo është arritur falë miratimit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës të Ligjit të ri për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, dhe vendosmërisë së kryetarit Veseli për angazhim dhe mbështetjen e tij për prioritizimin e kësaj agjende jashtëzakonisht të rëndësishme për institucionet e rendit dhe ligjit”, ka thënë ai.

Sipas tij, konfiskimi i pasurisë së paligjshme ka qenë hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë.

“Falë politikës së re që kemi shtyrë përpara, sot është duke u bërë dhe do të bëhet edhe më tej, hallka kryesore për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka qenë përkushtimi i im si Ministër i Drejtësisë dhe mbështetja vendimtare e Kryetarit të Kuvendit, z. Veseli që ta shtrojmë me prioritet një politikë të re e shumë më të fuqishme në fushën e konfiskimit të pasurisë së paligjshme. Efektet e zbatimit të Ligjit të ri po vërehen dukshëm dhe që nga hyrja në fuqi në fillim të vitit 2019 kjo politikë e re mundësoi konfiskimin e secilës pasuri të fituar nga aktiviteti kriminal”, është shprehur Tahiri.

Me ligjin e ri, ai ka theksuar se kanë hapur front të ri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Grupet kriminale dhe të korruptuarit jetojnë duke shfrytëzuar pasurinë e fituar me krim e korrupsion prandaj nuk është e mjaftueshme vetëm kapja dhe ndalimi i tyre por edhe konfiskimi i secilës pasuri të paligjshme. Me konfiskimin e pasurisë, do t’i dërrmojmë ata, kudo që janë, si në sferën e biznesit, politikës apo veprimtarisë kriminale”, ka thënë ai.