Fjalë Kyçe

Trajneri i Malit të Zi lavdëron Kosovën

Trajneri i Malit të Zi lavdëron Kosovën

Përzgjedhësi i Malit të Zi në futboll, Faruk Haxhibegiq, ka thënë se Kosova e ka merituar fitoren, në përballjen e së hënës në “Fadil Vokrri”.

“Dardanët” fituan 2 me 0 në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve kualifikuese për “Euro 2020”, me golat e Amir Rrahmanit e Vedat Muriqit.

“Fillimisht dua të përgëzoj Kosovën për një fitore të merituar, janë një skuadër e mirë dhe i dëshiroj suksese në garat e mëtutjeshme. Ata i shfrytëzuan shumë mirë dobësitë fizike dhe psikike tona. Ata kanë zhvilluar një ndeshje fantastike. Fatkeqësisht pa marrë parasysh situatën, duhet të theksoj se u vërejt një motivim më i mirë. Vlen të theksohet se jemi në një situatë të kundërt krahasuar me Kosovën, kur ia do, ia do si me shanse, si me gjëra tjera, ndërsa tek ne ndodhë e kundërta. Edhe sa i përket motivimin psikik nuk jemi në nivelin e duhur, por besoj që do t’ia dalim dhe do të përmirësohemi. Edhe në këtë rast pjesa e dytë ishte më e mirë se pjesa e parë dhe besoj që jemi në rrugën e duhur”, ka thënë ai në konferencën për media, pas takimit, transmeton KP.

Grupit A i prin Anglia me 15 pikë. Çekia është e dytë me 12 pikë, ndërsa Kosova e treta me 11 pikë. Mali i Zi e Bullgaria janë në fund me nga tri pikë.