Fjalë Kyçe

Veseli: Masakra e Dubravës dëshmi për gjenocid, ne po përballemi mes vete në vend se me Serbinë

Veseli: Masakra e Dubravës dëshmi për gjenocid, ne po përballemi mes vete në vend se me Serbinë

Sot është përkujtuar Masakra e Burgut të Dubravës, e kryer dy dekada më parë nga forcat serbe.
Në ceremoninë përkujtimore të organizuar në Burgun e Dubravës, kryeparlamentari Kadri Veseli, theksoi se kjo masakër është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë.
“Nuk është e lehtë për askënd të kthehemi këtu. Aq më tepër ata që vetëm dy dekada më herët këtu kanë përjetuar tmerrin e vërtet”.

“Kjo ditë, Masakra e Dubravës, vrasja masive e njerëzve tanë në këtë burg, është një prej dëshmive më të qarta që tregon organizimin, planifikimin dhe platformën e gjenocidit të shtetit serb mbi shqiptarët në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë më mënyrë të organizuar dhe ende sot Serbia nuk ka mëdyshjen minimale për t’u zmbrapsur nga e kaluara e vet kriminale”
Veseli tha se Serbisë kjo i bëhet edhe më e lehtë, përderisa “ne bëjmë zgjedhjen më të lehtë: përballemi mes vete, në vend se të përballemi me Serbinë”.

“Kosova duhet të përgatitet, duke e vënë drejtësinë në vend për gjenocidin serb, edhe për jetën në fqinjësi të mirë, edhe në paqe me të gjithë, e edhe me Serbinë. Ndaj këtij gjaku të derdhur në këtë vend dhe ndaj gjithë atyre që kanë rënë për lirinë e kësaj toke, e kemi borxh ne të gjallët t’i përkujtojmë, por të punojmë edhe më shumë që e kaluara më të mos persëritet kurrë dhe të punojmë që çdo ditë të kemi një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë. Derisa Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë do të ndodhë. Ai është i pashmangshëm dhe nuk ka asnjë forcë që mund ta ndalë”, tha Veseli.

Pas kryekuvendarit në këtë ceremoni kanë folur edhe të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, të cilët kërkuan nga drejtësia vendore e ndërkombëtare ti gjykojë kriminelët serb.
Të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishin edhe deputeti i PDK-së, njëherit edhe ish i burgosur në këtë burg, Nait Hasani, Hajredin Kuçi dhe disa fytyra publike të tjera.
Në Masakrën e Dubravës u vranë 150 të burgosur përderisa 300 të tjerë mbetën të plagosur.
Në këtë ceremoni e kishte konfirmuar pjesēmarrjen edhe kryeministri Ramush Haradinaj, por në momentin e fundit e ka anuluar.