Fjalë Kyçe

Facebook nuk heq dorë nga kriptovaluta “Libra”

Facebook nuk heq dorë nga kriptovaluta “Libra”

Ndonëse pesë gjigantë të pagesave njoftuan javën e kaluar se nuk do ta përkrahin kriptovalutën e rrjetit social, Facebook, zyrtarët e kësaj kompanie kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga projekti i tyre për “Libra”-n.

Këtë projekt po e mbështesin 21 kompani të ndryshme, të cilat janë pjesë e Asociacionit Libra, ndonëse në fillim në të ishin 28 kompani. Ato u takuan për herë të parë të hënën në Gjenevë të Zvicrës.

Një zëdhënës i këtij asociacioni tha se beson që kjo kriptovalutë është në rrugë të mirë për të hyrë në tregun financiar vitin e ardhshëm. Megjithatë, ai tha se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm nëse sigurohet miratimi i rregullatorëve financiarë, shkruan BBC.

Njoftimi për vazhdimin e këtij projekti erdhi pas një paralajmërimi të hapur të vendeve të G7-s se kriptovaluta “Libra” paraqet rrezik për rendin financiar botëror dhe mund ta pengojë funksionimin e tij.

Ndryshe, gjigantët e pagesave, Visa, Mastercard, eBay, PayPal, Stripe dhe Mercado Pago u tërhoqën nga ky projekt javën e kaluar.