Fjalë Kyçe

​Haradinaj: E kemi gjetur Pejën shkrumb e hi

​Haradinaj: E kemi gjetur Pejën shkrumb e hi

Derisa shteti i Serbisë ka vrarë 13 mijë e 500 civilë, ka kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës dhe ka dhunuar rreth 20 mijë persona, drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e vet.

Kështu deklaroi presidenti Hashim Thaçi në tubimin përkujtimor të 183 dëshmorëve të Komunës së Pejës, prej nga u shpreh se është nder për të gjithë bartësit e institucioneve të Kosovës që të nderojnë Ditën e Dëshmorëve në Pejë.

Ndonëse kaluan 20 vjet, presidenti ftoi që lufta të kujtohet gjithherë me krenari, duke respektuar vlerat e saj, të cilat vetëm sa do ta forcojnë shoqërinë dhe shtetin.

Duke kujtuar gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, ai foli edhe për nismën e Kongresit amerikan për kërkimin e drejtësisë, e cila ndonëse e vonuar shërben si stimulim për kërkimin e drejtësisë.

Drejtësi për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë ka kërkuar edhe kryeministri Rmaush Haradinaj.

Mohimi i krimeve nga ana e Serbisë, sipas tij, duhet të jenë alarm edhe për Evropën dhe Amerikën. Për këtë, ai iu drejtua gjithë bashkësisë ndërkombëtare me një kërkesë të vetme, që të mos ia lejojnë një gjë të tillë Serbisë.

Haradinaj tha se pushtuesit serb për qëllim kishin shfarosjen e popullit shqiptar, të mbanin Pejën për vete, në mënyrë që të kenë nën kontroll gjithë vendin.

Në emër të familjeve të dëshmorëve, Myzaqete Kelmendi, njëherësh nëna e dëshmorit të kombit Jusuf Kelmendi, shprehu falënderimet e saj për të pranishmit.

Pas fjalës së saj, Kelmendi u prit nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po e priste ta përshëndesë afër shkallëve.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj sot kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e dëshmorëve të Pejës dhe te shtatorja e dëshmorit Shkëlzen Haradinaj.