Fjalë Kyçe

​Abrashi: Kërkesa e AAK-së për presidentin, e padrejtë dhe e panevojshme

​Abrashi: Kërkesa e AAK-së për presidentin, e padrejtë dhe e panevojshme

Kërkesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) për postin e presidentit po shihet si e padrejtë dhe e panevojshme nga partneri i saj qeverisës Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK). Megjithëkëtë në partinë e Isa Mustafës thonë koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm dhe stabil.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi ka thënë në një intervistë për KosovaPress, se mospajtimet brenda koalicionit mund të jenë edhe të natyrshme. Ndërkohë, si ka vazhduar ai, takimet mes krerëve të partive në koalicion janë të rregullta dhe diskutojnë për çështje të ndryshme të koalicionit.

“Për presidentin, marrëveshjen të cilën e kemi nënshkruar dhe deri sot nuk është diskutuar: Është e vërtetë që zyrtarë të AAK-së, duke përfshirë edhe vet kryetarin Haradinaj, kanë shprehur interesin e tyre për atë pozitë. Nuk është diskutuar deri më tani… e shohim të padrejtë dhe të panevojshme tani kur kemi një president në detyrë. Megjithatë, kur të vijë koha e përshtatshme dhe zgjedhjet për president, atëherë duhet të ulemi dhe të shohim si janë mundësitë dhe kush duhet të jetë ajo figurë”, thotë Abrashi.

Përderisa Abrashi kishte thënë para disa javësh se presidenti i takon LDK-së, tani ai ka deklaruar se nuk e kanë e trajtuar ende se kujt i takon pozita e presidentit.

“Nuk e kemi trajtuar fare si temë besoj që pas Vitit të Ri, atëherë edhe kur fillojnë afatet të rrjedhin, atëherë duhet të ulemi dhe të diskutojmë… Takime ka, krerët janë takuar edhe javën e kaluar, temat kryesore përpos çështjeve të koalicionit dhe qeverisjes është diskutuar shumë edhe për dialogun”, thekson ai.

Ministri i Infrastrukturës, Abrashi ka thënë se pavarësisht mospajtimeve, koalicioni është i qëndrueshëm me AAK-në.

“Koalicioni është i qëndrueshëm, tash ka edhe kritika, ka këshilla për secilën çështje. Të cilat duhet të merren si të natyrshme, e mira është që krerët ose ata që e mbikëqyrin koalicionin si kryetari Mustafa dhe Haradinaj takohen në baza të rregullta dhe diskutojnë edhe për çështjet të ndryshme edhe për koalicion. Mendoj se është stabil dhe nuk e shoh ndonjë problem në këtë aspekt”, theksoi Abrashi/ KSP.