Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se hyrja në konkluzione në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian është sukses për Kosovën.
Ai tha se Kosova do të hyjë edhe në agjendë dhe pret vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.
Pas mbledhjes së Qeverisë, shefi i Ekzekutivit u ka thënë gazetarëve se është shumë e rëndësishme që për herë të parë Kosova është në konkluzione të Këshillit të Ministrave, dhe sipas tij, mos përfshirja aty do të ishte humbje për Kosovën.
Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian kanë dalë sot, ku në mesin e pikave është edhe ajo për vizat, ku theksohet se vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli.
Ndër të tjera, Haradinaj është përgjigjur edhe për taksën në lidhje me zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka përsëritur që dalja nga gjendja aktuale është përmes një marrëveshje kornizë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.
Haradinaj tha se nuk dërgohet sovraniteti i Kosovës në tavolinën e dialogut me Serbinë, ku theksoi se dialogu nën udhëheqjen e shefes së diplomacisë së BE-së Federica Mogherini dhe mafisë, që sipas tij ishin për ndarje të Kosovës, ka dështuar.