Fjalë Kyçe

​Kandidaturat për president do të kenë efekte negative, vështirësojnë edhe arritjen e koalicioneve paszgjedhore

​Kandidaturat për president do të kenë efekte negative, vështirësojnë edhe arritjen e koalicioneve paszgjedhore

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit për herë të parë përkundër faktit që nuk garohet për postin e presidentit, janë shpallur dy kandidatura për të parin e shtetit. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paraqitur i pari kandidaturën e tij për këtë post, ndërsa garës i hyri edhe Vjosa Osmani, e cila aktualisht ushtron postin e Presidentit.

Pavarësisht se Kushtetuta thotë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe është jopartiak tashmë është bërë pothuajse normale që të bëhet “pazar” me këtë post. Kjo është hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje ndërsa qytetarëve po u kërkohet që të votohet edhe për të parin e vendit.

Njohës të rrethanave politike vlerësojnë se partitë po përdorin këtë strategji, me qëllim që të rrisin pazarin e tyre negociues. Madje ka nga ata që thonë se sjellja e partive politike për postin e presidentit është edhe jo etike.

E sipas tyre, zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të mund të anashkalonte kriza politike dhe institucionale me të cilat jo rrallëherë është përballur Kosova.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, thotë se kjo do të vështirësojë edhe më shumë arritjen e koalicioneve qeveritare.

“Kësaj radhe është pak më specifike sepse në të njëjtën kohë kërkohet nga Kuvendi të zgjedhë edhe qeverinë edhe presidentin dhe, kjo i ka mobilizuar partitë politike që të dalin edhe me kandidatët e tyre për president. Mirëpo, kjo do të ketë efekt negativ për shkak se presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, por zgjidhet nga Kuvendi dhe e dyta, do të vështirësojë arritjen e koalicioneve qeveritare, për shkak se partitë politike do ta kenë si barrierë kur të negociojnë për shkak se do të insistojnë që kandidatët e tyre të jenë për president. Kështu, në situata kur ne zakonisht kemi ngërçe institucionale në themelimin e qeverisë, kësaj radhe mund të jenë edhe më të shprehura”, tha Kransiqi.

Sipas tij, të dy kandidatët për president janë duke garuar në këtë garë për ulëse në Kuvend. Ai thotë se partitë politike duhet të përmbahen nga propozimi i kandidatëve për president.

“Edhe z. Haradinaj, edhe znj. Osmani janë duke garuar për ulësen e deputetit në Kuvend, dhe votat e qytetarëve të cilët i votojnë këta persona do të jenë vetëm për përfaqësimin e tyre në Kuvend… Kështu që do të ishte mirë që partitë politike të përmbahen sidomos nga propozimi i kandidatëve për president, për shkak se kjo kërkon një konsensus shumë të gjerë, duhet 2/3 e votave të deputetëve, të sigurohet kuorumi dhe do të kërkojë domosdoshmërisht negociata ndërmjet partive politike, për të gjetur konsensus për personin e përshtatshëm. Dalja në publik me emra qysh tani për president, po përdoret më shumë për arsye strategjike, qoftë për të rritur pazarin e tyre negociues, pastaj, që të jenë më rezistent dhe të kërkojnë kompromise më të mëdha nëse do të heqin dorë nga pozita e presidentit ose të pamundësojnë arritjen e një marrëveshjeje”, tha ai.

Edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se posti i presidentit nuk duhet të vihet në shërbim të një partie.

“E dimë që procedura për tu bërë president, është e përcaktuar me Kushtetutë, që duhet të paktën të ketë mbështetjen e 40 deputetëve në Kuvend, për tu kandiduar dhe më pas të ketë një kuorum prej 80 deputetësh në Kuvend për të marrë votën pro ose kundër për tu bërë president. Ne kemi parë në të kaluarën edhe president të cilët kanë qenë partiak, apo edhe presidenten Jahjaga që nuk ka pasur një afrim partiak. Ajo që mbetet e qartë është që çdo person që të nesërmen do të jetë president i vendit, duhet ta dijë që duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, të të gjitha partive politike dhe, nuk mund ta përfaqësoj një parti politike të veçantë”, thotë ajo.

E për të shmangur krizat politike dhe institucionale që jo-rrallëherë janë shkaktuar për shkak të këtij posti, Krasniqi thotë se do të ishte më mirë që i pari i vendit të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli.

“Mënyra sesi zgjidhet presidenti kërkohet që të zgjidhet nga deputetët e Kuvendit, të cilët i zgjedh qytetari dhe nuk kemi ende një proces të drejtpërdrejt të zgjedhjes së Presidentit. Ky pozicion është bërë pjesë e pazareve politike dhe na ka çuar në kriza politike dhe institucionale dhe ndoshta zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të mund të anashkalonte këto kriza politike dhe institucionale, të cilat jemi duke i parë në vazhdimësi”, shprehet ajo.

Se kandidatura e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit për postin e Presidentit është jo etike e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija.

Sipas tij, po bëhet pazar nga ata njerëz që dikur kanë thënë se çështja e presidentit është vullnet i deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës.

“Sjellja e subjekteve politike, aq më shumë e dy pretendentëve, sa jo etike është edhe një lloj risie në skenën politike të Kosovës, duke marrë parasysh që sistemi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë varet prej Parlamentit, rrjedhimisht prej deputetëve që i fitojnë ato mandate, dhe pastaj është në vullnetin e atyre deputetëve që të votojnë dhe ta zgjedhin një president. Duket që kandidimi i z. Haradinaj për postin e presidentit dhe moskandidimi i tij ose heqja dorë prej pozitës së kryeministrit duket që është një taktikë e AAK-së që në njërën anë të arrijë të forcojë figurën e z. Haradinaj si lider, të mos matet në aspektin e garës për kryeministër e njëkohësisht të arrijë të fitojë sa më shumë vota duke u thirrur në emër të një kandidature për president. Në anën tjetër e kemi u.d. së presidentit, z. Vjosa, e cila po tenton që jashtë deklarimeve të saj, gjithmonë që çështja e zgjedhjes së presidentit i takon një legjislature të re që do të vije. Ato parime janë shkelë dhe rrjedhimisht po bëhet pazar nga po këta që dikur kanë thënë që çështja e presidentit është vullnet i deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës. Pra është njëfarë mish-mashi në skenën politike”, thotë ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt.