Fjalë Kyçe

​LDK nis procesin e hartimit të programit politik dhe qeveritar

​LDK nis procesin e hartimit të programit politik dhe qeveritar

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot e ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në njoftimin e LDK-së, thuhet se në këtë mbledhje u prezantua raporti i punës i shtabit zgjedhor si dhe u vlerësua rezultati i arritur në zgjedhjet lokale.

Në këtë drejtim, kryesia i mori këto vendime:

1. Formohet Komisioni treanëtarësh i Kryesisë së LDK-së, me qëllim të vlerësimit të rezultatit zgjedhor, analizës së gjendjes së degëve dhe dhënies së rekomandimeve për riorganizimin strukturor të tyre. Komisioni do të zhvillojë komunikim dhe koordinim të ngushtë me kryesitë e degëve në gjithë Kosovën. Rekomandimet e komisionit i prezantohen kryesisë për vendim përfundimtar. Komisioni përbëhet nga nënkryetari, Gazmend Muhaxheri, sekretari i përgjithshëm, Imri Ahmeti, si dhe nga kryetarja e Forumit të Gruas, Lirije Kajtazi.

2. Lidhja Demokratike e Kosovës nis procesin e hartimit të programit politik dhe qeveritar, si bazë e veprimit opozitar të sotëm e si bazë e qeverisjes së ardhshme. Ekipet punuese të shtyllave programore, gjatë gjithë procesit hartues, do të zhvillojnë konsultime me grupet e interesit të shoqërisë kosovare, me qëllim që programi ynë politik të jetë sa më i qëndrueshëm aq edhe më gjithëpërfshirës.

3. Lidhja Demokratike e Kosovës nis përgatitjet finale të regjistrimit të anëtarësisë në të gjitha nivelet, nëpër gjithë Kosovën, proces që do të nisë së zbatuari në fillim të vitit 2022.