Fjalë Kyçe

​Ministria e Diasporës u shtron Sofrën Tradicionale, mërgimtarët shprehën të zhgënjyer

​Ministria e Diasporës u shtron Sofrën Tradicionale, mërgimtarët shprehën të zhgënjyer

Shumë mërgimtarë i bashkoi sonte sofra e shtruar me ushqime tradicionale në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Me këngë e valle, ata sonte u mblodhën për të shënuar “Ditët e Diasporës”, të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Ani pse të kënaqur me këtë organizim, ata shprehën të zhgënjyer me atë që po bën udhëheqësia kosovare për ta.

Lutfie Dragaj, e cila jeton tash e sa kohë në Suedi thotë se kjo sofër tradicionale e organizuar për ta, çmon kontributin e tyre për atdheun. Pavarësisht kësaj, Dragaj shprehet e pakënaqur me atë se çfarë po bëhet për ta.

“Sa herë vijnë këta të huajt shtrenjtohen gjërat, nuk është mirë ajo. Në vend se të lirohen, të mirëpriten, ata të shtrenjtojnë, nuk po kuptoj. Nuk është vetëm me fitu, por edhe me nderu. Është mirë të bëhet shumë për diasporën, qysh po bën diaspora për Kosovën, është mirë me ia kthy udhëheqësia edhe populli, sepse diaspora shumë po ndihmon”, thotë ajo.

Për Xhevat Xhemshitin, i cili jeton në Gjermani që 25 vjet, kjo sofër me ushqime tradicionale dhe muzikë folklorike shqipe, është mënyra më e mirë që karakterizon shqiptarët. Megjithatë, thotë se ndjenjë të njëjtë nuk kanë edhe gjatë gjithë qëndrimit të tyre në Kosovë.

“Prej kur vijmë në kufi e këndej, nuk na pëlqen asgjë, por dëshira e madhe për atdhe, vijmë prapë edhe kemi qejf me ardhur. Për momentin nuk jemi të kënaqur. Shpresojmë që të ardhmen do të bëhet më mirë”, shprehet Xhemshiti.

Organizimit iu bashkuan shumë qytetarë nga Kosova. Valdet Hoti thotë se kjo sofër është më e pakta se çfarë duhet të bëhet për mërgatën. Ai thotë se kjo sofër ka bashkuar jo vetëm mërgatën, por edhe qytetarët e Kosovës me ta.

Hoti: Ndoshta do të duhej të bënim më shumë për ta

Video “Ndoshta do të duhej të bënim më shumë për ta, por këto mundësi që i kemi, por me kaq besoj mjafton me tregu mikpritjen edhe të gjitha afërsitë që mund të kemi me ta”, thotë ai.

Shyhrete Gosalci, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Diasporës thotë se ky aktivitet tregon vlerën që ka sofra për shqiptarët.

Gosalci: Oda ka qenë gjithmonë një institucion i veçantë Video “Sonte është një aktivitet pak më ndryshe, ne jemi të gjithë pranë sofrës. Ku e dimë që sofra tradicionale dhe oda ka qenë gjithmonë një institucion i veçantë, ku janë marrë edhe vendimet e rëndësishme. Prandaj unë sonte ju uroj një mbrëmje sa më të bukur”, thotë Gosalci.

Sofrës tradicionale ju bashkuan edhe rapsodë të ndryshëm, dhe Ansambli “Drenica”, nga Skenderaj, të cilët performuan këngë folklorike shqiptare. Nga Ansambli “Drenica”, Imer Losha tha se sofra identifikon odën, ku është mbajtur rendi i fjalës. Duke cituar disa nene të Kanunit të Lekë Dukagjinit, thotë se shtëpia është e shqiptarit, dhe se mysafirit duhet t’i bëhet nder.

“Është kjo vazhdë e aktiviteteve të kësaj ministrie. Ne sofrën e kemi identifikuar me odën. Oda është vendi ku është shtruar sofra, është kënduar kënga dhe është bërë kuvendi i burrave. Oda është tradita, është vet historia e jonë. Më lejoni që të citoj në disa nene Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili edhe sot e kësaj dite gjen zbatim sidomos në traditën tonë popullore. ‘Shtëpia është e shqiptarit, është e Zotit edhe e mikut. Posa  të hynë miku në shtëpi i bëhet nder me bukë e kripë e zemër. Buka, kripa, zemra, zjarrmi, shtrojë e mbulojë duhet të gjinden përherë për mik në çdo kohë të natës apo edhe të ditës’”, shprehet ai.

Plaku i sofrës, Daut Demaku tha se në sofrën e sotme nuk duhet të ketë fjalë të rënda dhe se duhet të dëshmohet se oda shqiptare është me civilizuara.

Demaku: Sonte duhet të dëshmojmë që oda shqiptare është më e civilizuara

Video “Në odën tonë sonte kam qejf që të mos ketë asnjë fjalë të rëndë për askënd. Sonte ju dua në mënyrën më të civilizuar, që oda shqiptare të jap provimin, si e civilizuar evropiane, sepse ne jemi Evropë edhe para se me qenë Evropa. Unë dua që të keni një dashuri mes vete serioze, pa hile, pa dredhi. Duhet të jemi shumë afër njëri-tjetrit dhe me shumë sinqeritet”, thotë Demaku.

Në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, tash e disa ditë ka filluar panairi me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale, e cila do të përfundoj nesër më 27 korrik, raporton KosovaPress.