Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe shprehën sot shqetësimin para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS) për mosbashkëpunimin e Serbisë me pasardhësin e Gjykatës së Hagës dhe i kërkuan Beogradit që të ekstradojë ish-anëtarët e Partisë Radikale Serbe (SRS).
Në një seancë të KS të OKB-së, në të cilën presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Carmel Agius dhe kryeprokurori Serge Brammertz paraqitën një raport të rregullt, përfaqësuesi i SHBA-së shprehu shqetësim serioz për mosbashkëpunimin e Serbisë me ndërkombëtarët.
“Serbia ka obligim të bashkëpunojë me Mekanizmin dhe ne i bëjmë thirrje që të veprojë me urdhër të asaj gjykate, të arrestojë dhe ekstradojë ish-deputetët e Partisë Radikale Serbe, Petra Jojiq dhe Vjerica Radeta”, tha diplomati amerikan.
Ai gjithashtu vuri në dukje problemin e mohimit të gjenocidit dhe shfaqjen e një murale në Beograd me imazhin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mladiq, i dënuar në Hagë për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe i bëri thirrje Serbisë t’i bindet urdhrit të Mekanizmit.
“Na vjen keq që Serbia nuk i dorëzoi Petra Jojiq dhe Vjerica Radeta pas disa kërkesave të Mekanizmit. Ne i bëjmë thirrje asaj që ta bëjë këtë pa vonesa të mëtejshme”, tha diplomati britanik duke shtuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës është i papranueshëm.
Edhe përfaqësuesi i Norvegjisë ka dënuar mos ekstradimin e Jojiq dhe Radeta në Hagë, duke deklaruar se Serbia po i dërgon një mesazh të keq botës.
Më herët, kryetari i Mekanizmit, Adjius, gjatë dorëzimit të raportit, përsëri i bëri thirrje Serbisë që të arrestojë dhe ekstradojë Jojiqin dhe Radetën, të akuzuar për shpërfillje të asaj gjykate.
Për shkak të refuzimit të tij për të arrestuar Jojiq dhe Radeta, Adjius e ka raportuar Serbinë në KS të OKB-së tri herë deri më tani. Në vitin 2012, Tribunali i Hagës i akuzoi ata se kishin ndikuar mbi dëshmitarët e prokurorisë në gjyqin e Hagës kundër liderit të radikalëve Vojisllav Sheshel, përmes kërcënimeve, shantazheve dhe ryshfetit. Që nga viti 2015, autoritetet serbe kanë refuzuar arrestimin dhe ekstradimin e Jojiq dhe Radeta në Hagë.
Me rastin e Jojiq dhe Radeta, ambasadori kroat në OKB, Ivan Shimonoviq, tha se frikësimi i dëshmitarëve është një krim i rëndë dhe se ai duhet të trajtohet si i tillë.
Ai tha gjithashtu se lavdërimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës është i papranueshëm dhe e distancon rajonin nga pajtimi. Shimonoviq tha se Zagrebi po pret përgjigjen e Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për përpunimin e krimeve të luftës.
Ambasadori i BeH në OKB, Sven Alkalaj dënoi gjithashtu si të papranueshëm glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.
Alkalaj vuri në dukje faktin se në Serbi dhe Republikën Serbe po vizatohen murale me imazhin e Mladiq dhe shtoi se kjo nuk është rruga e pajtimit në BeH dhe Ballkanin Perëndimor.
Ai deklaroi se ndëshkimi i të gjithë atyre që janë përgjegjës për krimet është i nevojshëm për pajtimin, i cili është pjesë e rrugës së rajonit drejt anëtarësimit në BE./KP