E gjithë bota po përballet me shpërthime të reja të koronavirusit, duke nxjerrë në pah sa e vështirë është ndalja e virusit që i ka marrë jetën deri më tani 650 mijë personave, madje edhe në vendet ku fillimisht përhapja e tij ishte ngadalësuar.
Kina ka raportuar për shifrat më të larta prej muajit prill, kur edhe pati vënë virusin nën kontroll. Si përgjigje, zyrtarët kinezë kanë nisur testimet masive në Ksinjang dhe rajonet tjera fqinje. Edhe shtetet tjera në Evropë janë duke u përballur me rritje shqetësuese të numrit të rasteve, duke përfshirë Spanjën, Francën dhe Gjermaninë.
Spanja është duke tentuar të kontrollojë shkallën e infektimit dhe të marrë masa të reja parandaluese, pasi disa kombe evropiane kanë vënë ndalesa në udhëtime për qytetarët që kthehen në vendet e tyre pas pushimeve të kryera në Spanjë. Pandemia nuk ka treguar shenja të zvogëlimit as në Shtetet e Bashkuara, territorin e prekur më së keqi në botë nga koronavirusi, meqë deri më tani janë regjistruar mbi 4.2 milionë të infektuar dhe 147,000 vdekje. Virusi është duke u përhapur aktualisht në Florida, Teksas, Kaliforni dhe Arizona.
Ndërkohë në Ballkan, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë po ashtu duke u përballur me shifra të larta të të prekurve nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri. Autoritetet shëndetësore në Serbi kanë thënë më 26 korrik se 467 persona kanë rezultuar pozitivë në virus në 24 orët e fundit, duke shënuar rekord të të prekurve prej kur është raportuar për pandeminë në këtë shtet. Sipas tyre edhe tetë persona kanë vdekur përgjatë një dite. Numri total i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në botë, sipas universitetit John Hopkins, tashmë ka kapërcyer 16 milionë dhe një milionë infektime janë regjistruar vetëm në katër ditët e shkuara.