Fjalë Kyçe

108 mjekë u larguan nga Kosova në 6 muaj

108 mjekë u larguan nga Kosova në 6 muaj

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 108 mjekë, prej tyre 36 specializantë, kanë lënë punën në institucionet publike shëndetësore për të vazhduar ushtrimin e profesionit jashtë vendit.

Për të parandaluar këtë dukuri shqetësuese për shëndetësinë kosovare kërkohet krijimi i kushteve më të mira të punës dhe miratimi i Ligjit të pagave.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu duke e konsideruar si shqetësim të madh largimin e mjekëve nga ShSKUK thotë se Kosova ka dështuar në përpilimin e një strategjie të mirëfilltë për resurse njerëzore.

Sejdiu thotë se krahas mjekëve tashmë nga Kosova po ikin edhe specializantët për shkak të kushteve jo të mira për shkollim specialistik.

Ikjen e mjekëve nga Kosova edhe ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi e konsideron si problem rrënjësor për shëndetësinë kosovare.

Por, ndonëse shprehet se po punon në krijimin e kushteve më të mira për profesionistët shëndetësorë, Latifi thekson se asnjëherë nuk do të mund ta ndalojë këtë dukuri të ikjes së trurit në 100%.

Zgjidhja më mirë për të parandaluar ikjen e mjekëve nga Kosova, sipas drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, është miratimi i Ligjit të pagave.

Të shqetësuar për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga sektori publik shprehen edhe nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve.

Besim Kodra, nga kjo shoqatë, thekson për KosovaPress se si pasojë e ikjes së mjekëve po rriten listat e pritjes dhe po bie kualiteti i shërbimeve shëndetësore. Ai kërkon nga shteti që të përmirësojë kushtet e punëtorëve shëndetësorë.