Helmimi me ujë të pijes i qindra banorëve të komunës së Deçanit e ka shtyrë kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj, që të ketë prioritet krijimin e një kompanie të ujësjellësit që do menaxhohet nga komuna.
Ramosaj ka thënë se ka ndërprerje të ujit në 12 fshatra për shkak të kontaminimit.
“Në një qytet ku ka shumë burime të ujit siç është komuna e Deçanit, është shumë e padrejtë të ketë problem me ujin e pijes, të ketë problem me cilësinë e investime në kapacitete ose në standardizimin e këtij ujësjellësi, do jem tepër insistues që kompania të jetë komunale. Kjo e do një kohë sepse janë procedura administrative dhe ligjore por është vullneti politik shtyrë edhe nga nevojat e qytetarëve jam i sigurt që po flas se në rast se menaxhon komuna ujë, do ketë 24 orë, 7 ditë në javë, uji do jetë në cilësinë e duhur dhe standardizimi, qoftë në nivelin e shpërndarjes të ujit do jetë në nivel të duhur”.
“Furnizimi tashmë është i ndërprerë në 12 fshatra, ka njëfarë procedure dhe burokracie. Ne kemi me marrë vendim si ekzekutiv dhe si asamble komunale dhe do e përgatisim gjithë dokumentacionin prej statutit, aktit të themelimit të kësaj ndërmarrje në harmoni me ligjin për ndërmarrje publike, lokale dhe atë për shoqëri aksionare që janë pjesë e kësaj procedure. Sa ka me marrë kohë nuk e di por tani për tani jemi në një situatë të tillë, 12 fshatra nuk guxojnë me pi ujë të pijes derisa të bëhet një ekspertizë dhe sanim i komplet gjendjes”, u shpreh Ramosaj.
Gjendja e pacientëve është më e lehtë sa i përket kërkesave për trajtim mjekësor në QKMF-në e Deçanit, thotë Ramosaj.
Sipas tij, janë mbi 1 mijë e 500 qytetarë që vetëm në QKMF kanë kërkuar trajtim spitalor, pa përfshirë në këtë shifër 284 qytetarë që u trajtuan në klinikat private e 37 në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës dhe mbi 100 në atë të Pejës.
Kryetari i komunës së Deçanit e ka quajtur neglizhencë institucionale që gjashtë rezervarët që banorët e Deçanit furnizohen me ujë vetëm njëri prej tyre ka klorinator automatik, dhe pesë të tjerët janë manual.
“Kjo është një lloj neglizhence institucionale që kompania rajonale “Hidrodrini” është dashur që të ketë në fokus gjatë gjithë kohës, megjithatë realiteti është ky, rezervarët që furnizohet qytetarë në më shumë se gjashtë rezervarë apo burime të ujit vetëm njëri nga këta rezervar ka klorinatori automatik, kloratorët tjerë janë manual dhe po ashtu zona e sigurisë rreth këtyre kloratorëve nuk është në fazën e kënaqshme dhe qasja nga burimi është jo me standardin e duhur. Po shpresojmë që kompania rajonale e ka marrë një mësim tanimë, që duhet të jetë me kompetente në ofrimin e këtyre shërbimeve”, tha ai.
Në seancën e sotme, ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, Liburn Aliu tha se kompania rajonale e ujësjellës “Hidrodrini”, nuk është i mbrojtur madje disa pjesë të sistemit nuk kanë as leje ujore.