Artan Ahmeti, përgjegjës për Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, ka thënë se po vazhdon të ketë kërkesa për trajtim nga pacientët me COVID-19 në këtë qendër. Në Express Intervistë, ka thënë se dhjetë ditët e fundit në Kosovë ka numër rekord të pacientëve të shtrirë në klinika.
Shumica e të hospitalizuarve prej gjithsej 90 sa janë të shtrirë në Mjekësinë Sportive, janë me oksigjeno-terapi.
“Kemi vazhdimësi të rasteve pozitive dhe atyre që kërkojnë hospitalizim në qendrat COVID, edhe në klinikën tonë të Mjekësisë Sportive. Janë 10 ditët e fundit që kemi numër rekord të hospitalizimeve dhe rekord të rasteve pozitive. Në këtë qendër aktualisht po trajtohet rreth 90 pacientë. Gjendja e tyre është nga ata që janë në gjendje më të rëndë deri te ata me gjendje më të lehtë. Shumica e pacientëve që trajtohen në qendrën tonë janë me oksigjeno-terapi”, ka thënë Ahmeti.
“Prej tyre, 12 janë në gjendje më të rëndë”, ka shtuar Ahmeti.
Ai ka thënë se në këtë qendër nuk ka pasur asnjëherë problem me oksigjen, marrë parasysh se shumicës së pacientëve aty u nevojitet. Kjo sepse pacientët janë të kyçur me oksigjen qendror e jo me bombola, shtoi Ahmeti.
Sipas Ahmetit, në qendrën ku ai po shërben në mesin e shumë mjekëve të tjerë, nuk ka staf të vetin gjë që vështirëson punën e madhe gjatë pandemisë.
“Është një ngarkesë e madhe për stafin shëndetësor, është angazhim i madh i joni. Jemi maksimalisht të ngarkuar me pandeminë, Mjekësia Sportive nuk ka staf të vetin individual, janë staf që vijnë nga klinikat e tjera. Është numër I madh i pacientëve që këkrojnë trajtim”, ka thënë ai.
Ahmeti ka thënë se në vazhdimësi janë munduar që pacientët të mos i mbajnë më shumë se 10 ditë të shtrirë në klinikë, sipas tij, “një, për shkak të numrit të vogël të shtretërve, pastaj që qëndrimi i gjatë në spital mundëson infeksionet”.
“Kështu që qëndrimi në Mjekësinë Sportive është një javë deri në 10 ditë për pacientë, vetëm për ata në gjendje më të rëndë që ka raste kur qëndrojnë më gjatë”.
Ahmeti vlerëson se nuk po respektohen masat aktuale anti-COVID, për çka ka thënë se përveç në spitale ku shihet gjendja reale, në qytet nuk ka dallim prej gjendjes se si janë sjellë njerëzit para pandemisë.
“Masat aktuale nuk janë duke u respektuar. Përveç spitaleve që shihet se nuk është gjendje e mirë me pandeminë, në qytet nuk kemi ndryshim prej kohës para pandemisë dhe tash. Pra, fillimisht duhet të respektohen këto masa që janë të rekomanduara nga IKSHPK dhe MSH”, ka thënë Ahmeti.