Fjalë Kyçe

12 vjeçari Lorent Selimi, talenti kosovar i futbollit në Suedi

12 vjeçari Lorent Selimi, talenti kosovar i futbollit në Suedi

Lorent Selimi është vetëm 12-vjeçar. Ai është me prejardhje nga Skenderaj, por jeton me familje në Mellrud të Suedisë.

Lorenti katër herë në javë udhëton nga 26 milje për të ushtruar dhe luajtur futboll për ekipin “Gais Academy”.

Lorenti luan futboll në pozitën e sulmuesit, i cili për një sezon ka shënuar 140 gola.

Për talentin e tij të rrallë në futboll tashmë kanë nisur të shkruajnë edhe mediet suedeze.

Gazeta “Melleruds Nyheter” ia ka kushtuar një shkrim talentit nga Kosova. Në një shkrim të kësaj gazete trajneri me përvojë 25-vjeçare, Joachim Bergstrand, ka thënë se Lorenti është një lojtar i jashtëzakonshëm për moshën që ka.

“Si trajner elitar sportiv për 25 vjet, mund të them se Lorenti është lojtari i parë ndonjëherë i asaj moshe që shkon aq larg. Interesimi që ai tregon duke e bërë këtë tregon sa i përkushtuar është ai për të luajtur futboll. Ai është një kokë jashtëzakonisht e talentuar dhe fituese. Ai është lojtar fantastik me një prekje të mirë në top dhe presion të mirë në pasime. Në të vërtetë, nuk kam asgjë të keqe për të thënë për të. Lorenti është një model për lojtarët e tjerë”, ka thënë trajneri i Lorentit.

Ai ka thënë se Lorenti është talenti më i mirë në Suedinë perëndimore. Ky medium, përpos që e ka përcjellë Lorentin në stërvitje, ka shkuar edhe në banesën e tij.

Lorenti për “Melleruds Nyheter” ka treguar se nga cila moshë ka filluar të luajë futboll. Ai ka thënë se në moshën pesëvjeçare ka filluar të luante futboll në Melleruds IF, por për shkak të mungesës së sfidave ai ka luajtur për dy vjet në Brsebro IF.

“Atje duhet të luaja me djem të moshuar dhe ishte kënaqësi”, ka thënë Lorenti. Ndërsa nëna e tij, Lendita Selimi, ka thënë se janë me fat për sukseset e Lorentit.

“Ne luftojmë për aq kohë sa ai mendon se është argëtim. Jemi me fat sepse Lorenti është i mirë në shkollë, por do të jetë vështirë më vonë. Unë gjithmonë them se shkolla është më e rëndësishme”, ka thënë ajo.

Lendita dhe Lulzimi, përpos Lorentit kanë edhe katër fëmijë  midis moshës shtatë dhe nëntëmbëdhjetë.