Fjalë Kyçe

125 milionë dollarë fituesi, 1 milion për barazim – shumat e mëdha që mund t’i fitojnë ekipet në Kupën e Botës për klube

125 milionë dollarë fituesi, 1 milion për barazim – shumat e mëdha që mund t’i fitojnë ekipet në Kupën e Botës për klube

FIFA ka zyrtarizuar modelin e shpërndarjes financiare për edicionin e ri të Kupës së Botës për Klube, duke përfshirë një fond rekord prej 1 miliard dollarësh për 32 ekipet pjesëmarrëse. Ky vendim vjen pas konsultimeve me aktorët kryesorë, përfshirë Shoqatën Evropiane të Klubeve (ECA) dhe pas miratimit nga Këshilli i FIFA-s.

Sipas këtij modeli, klubi fitues do të përfitojë një shpërblim maksimal prej 125 milionë dollarësh, duke e bërë këtë turneun me fondin më të madh të çmimeve në historinë e futbollit të klubeve.

“Modeli i shpërndarjes së FIFA Club World Cup pasqyron majën e futbollit të klubeve dhe përfaqëson çmimin më të madh ndonjëherë për një turne me format grupesh dhe fazë eliminimi,” deklaroi Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Përveç shpërblimeve për skuadrat pjesëmarrëse, FIFA ka konfirmuar gjithashtu një program solidariteti, me synimin për të investuar 250 milionë dollarë shtesë për zhvillimin e futbollit të klubeve në mbarë botën. Ky fond solidariteti synon të mbështesë ekipet që nuk janë pjesë e turneut, duke ndihmuar në rritjen e nivelit të futbollit globalisht.

“FIFA nuk do të mbajë asnjë fond nga ky turne, pasi të gjitha të ardhurat do të shpërndahen për futbollin e klubeve. Gjithashtu, nuk do të preken rezervat e FIFA-s, të cilat janë të dedikuara për zhvillimin global të futbollit përmes 211 federatave anëtare të FIFA-s,” shtoi Infantino.

Shpërblimet sipas fazave të turneut:
Faza Shuma për klub
Faza e Grupeve (3 ndeshje) 2.0 milionë USD për fitore / 1.0 milionë USD për barazim
1/8 e finales + 7.5 milionë USD
Çerekfinalja + 13.125 milionë USD
Gjysmëfinalja + 21.0 milionë USD
Finalisti + 30.0 milionë USD
Fituesi + 40.0 milionë USD