Të paktën 13 persona kanë vdekur në Peru si dhe tre të tjerë janë lënduar, në mes të turmës në një klub nate në Lima, kjo pasi frekuentuesit u përpoqën të arratiseshin nga bastisja e policisë në vend, deklaroi Orlando Velasco Mujica, gjeneral i Policisë Kombëtare.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, policia u thirr në vendin e ngjarjes të shtunën mbrëma, kur edhe u organizua ahengu i paligjshëm, në të cilën morën pjesë më shumë se 120 persona në mes të pandemisë së coronavirusit.
Në mënyrë që të parandalohet përhapja e coronavirusit, autoritetet në vend kanë implementuar masat e distancimit shoqëror, kështu tubimet e mëdha janë të ndaluara, ndërsa nga ora 10 e mbrëmjes zbatohet edhe ora policore.
Sipas një deklarate zyrtare nga Ministria e Brendshme, thuhet se policia nuk kishte përdorur asnjë lloj arme ose gaz lotsjellës kundër njerëzve që morën pjesë në aheng.
“Kur njerëzit filluan të arratiseshin nga policia, ata u përplasën mes shkallëve”, potencuan zyrtarët.