Fjalë Kyçe

13 të vdekur dhe 112 raste me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

13 të vdekur dhe 112 raste me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

Në 24 orët e fundit është shënuar numër rekord i personave të shëruar nga virusi Covid-19 në Maqedoni të Veriut.

2179 persona të prekur e kanë fituar betejën me Covid 19, numër ky i cili deri më tani nuk ka qenë pjesë e raporteve ditore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik.

4196 persona janë testuar, prej të cilëve 112 kanë rezultuar pozitiv, që në përqindje i bie të jetë 2,7% nga numri i përgjithshëm i testeve.

Numri i viktimave është 13, ndërkaq Shkupi kryeson si për nga numri i të prekurve ashtu dhe për nga numri i viktimave.

Ministria e Shëndetësisë njofton se situata në Spitale dhe qendrat Covid është e qëndrueshme dhe se shumica e klinikave po i rikthehen normalitetit.

Numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar me COVID 19, të cilët shërohen nëpër repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet e vendit është 536 dhe ka rreth 870 shtretër të lirë nëpër qendrat Covid. Për shkak të rënies së dukshme të numrit të të prekurve spitalet i kanë mbyllur një pjesë të kapaciteteve të dedikuara për pacientët me Covid-19 – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në Spitalin 8 shtatori gjithsej ka 75 pacientë, ndërkaq në Klinikën Infektive trajtohen 69 persona. Në Institutin e Sëmundjeve të Mushkërive ka gjithsej 4 pacientë të cilët shërohen ndërsa në Klinikën e Pediatrisë për momentin pozitivë me Kovid19 është vetëm një fëmijë. Gjithsej 207 pacientë të prekur po trajtohen në repartet infektive në kryeqytet. Shumica prej tyre janë nën mbështetjen e oksigjenit.