Fjalë Kyçe

​Legjenda e Man Unitedit: Liverpooli po dorëzohet për shkak të presionit

Ish-qendërmbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, beson se lojtarët e Liverpoolit janë duke e ndierë presionin që kanë për ta fituar titullin e Premierligës, pasi ata dukeshin të shqetësuar në ndeshjen e mbrëmshme kundër Leicester Cityt.

Fillimisht, djemtë e Jurgen Kloppit kishin qenë në epërsi përmes golit të shënuar nga Sadio Mane, megjithatë ndeshja përfundoi me rezultat 1-1, pasi që qendërmbrojtësi Harry Maguire arriti ta shënojë një gol për Leicesterin.

Pika e fituar nga kjo ndeshje e shton distancën mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit, mirëpo Klopp dhe tifozët në Anfield mbetën të zhgënjyer që nuk e shfrytëzuan plotësisht dhuratën e Pep Guardiolës, i cili kishte pësuar disfatë një ditë më parë.

“I vetmi shqetësim që unë do e kisha është se e ndiej një lloj parehatie dhe besoj se ata po ia gjuajnë njëri-tjetrit përgjegjësitë herë pas here. Kloppi duhet ta zgjidhë këtë problem. Nuk dëshiron t’i shikosh lojtarë në këtë gjendje në këtë pikë të sezonit, është shumë herët”, ka thënë Ferdinand.

“Mendoj se ata ishin të shqetësuar, tifozët në stadium ishin të shqetësuar dhe kjo kaloi edhe te lojtarët. Besoj se Kloppi do të tentojë ta gjejë një zgjidhje për këtë gjë gjatë ditëve në vazhdim”.

Liverpooli ka plot 29 vjet që nuk e ka fituar titullin e kampionit të Anglisë, mirëpo Jurgen Kloppi mund të jetë trajneri që i jep fund kësaj pritjeje nëse arrin ta mbajë kreun e ligës deri në maj, kur përfundon sezoni.

Skuadra e Jurgen Kloppit, që e ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon, tani e mban një epërsi prej pesë pikësh nga klubi në vend të dytë, Manchester City, që është edhe kampion në fuqi i Premierligës.