Fjalë Kyçe

2018 – Viti i shkëlqimit dhe rënies së basketbollit në Kosovë

2018 – Viti i shkëlqimit dhe rënies së basketbollit në Kosovë

Viti 2018 mund të përshkruhet si një nga vitet me ngjarjet më të mëdha në basketbollin e Kosovës. Arsye për këtë janë padyshim sukseset e mëdha që kemi korrur si shtet, në këtë sferë.

Përveç mbarëvajtjes në kampionatin vendorë, ku nuk ka pasur ndonjë incident që mund të përmendet që ka shkaktuar probleme, Kosova ishte e suksesshme edhe në sfidat ndërkombëtare.

Si në kuadër të klubeve, ashtu edhe me kombëtaren, kemi arritur që këtë vit të lëmë gjurmët tona.

Nga basketbolli në nivel të kombëtareve, suksesi më i madh është arritur nga ardhmëria e Kosovës, saktësisht nga gjenerata U-18.

Djelmoshat e rinj kanë arritur që të bëjnë befasinë dhe të shpallen kampionë të Evropës në divizionin C. Kjo nënkupton se që nga viti 2019, ata do të garojnë në një nivel më lart, pra në divizionin B.

Tjetër sukses për FBK-në ka qenë edhe organizimi i FIBA U18 Kampionatit Evropian U18, Divizioni C në Prishtinë, që nga FIBA dhe të gjithë pjesëmarrësit është vlerësuar si një organizim i suksesshëm dhe për t’u lavdëruar në çdo aspekt.

Së fundmi, Federata e Basketbollit të Kosovës ka arritur që të siguroj të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U-20, divizioni B, në kategorinë e femrave.

Nga sukseset me klube, është padyshim ai i Z Mobile Prishtinës që vlen të përmendet. Skuadra më e suksesshme shqiptare në basketboll vazhdoi edhe këtë vit me paraqitjet dinjitoze në sferën ndërkombëtare. Skuadra nga kryeqyteti luajti për vitin e dytë me radhë në parakualifikimet e “Basketball Champions League”, ku për fat të keq u eliminua në raundin e parë, për të vazhduar në “FIBA Europe Cup”.

Aty “bardh e kaltrit” shënuan historinë e basketbollit kosovar  në nivel të klubeve, pasi arritën që me sukses ta kalojnë një raund, duke siguruar një vend në mesin e 16 skuadrave që vazhduan raundin e dytë në këtë kompeticion, ku akoma është duke vazhduar garën.

Për këtë sukses të Prishtinës në sferën ndërkombëtare, meritë të madhe ka edhe trajneri i emëruar së fundmi, Damir Mulaomerovic, si dhe ylli i skuadrës Dardan Berisha, i cili është bartës i lojës së kryeqytetasve.

Mulaomerovic është prej trajnerëve të parë në Prishtinën e viteve të fundit që ka dhënë hapësirë të madhe për gjeneratat e reja të Prishtinës, duke pasur gjithmonë vend në formacion për lojtarët si Meriton Ismaili apo edhe Muhamedali Janjeva.

Por, suksesi i Z Mobile Prishtinës, nuk është se tregoi vetëm shenja pozitive për basketbollin tonë.

Kampionati vendor është “gjymtuar” nga kualiteti i lartë i Prishtinës, pasi skuadra nuk ka konkurrencë. Në edicionin 2018/19, “bardh e kaltrit” nuk e njohin humbjen në Superligën e Kosovës.

Nga gjithsej 13 ndeshje të luajtura, ata numërojnë vetëm fitore, duke u pozicionuar kështu në vendin e parë në tabelë, me 26 pikë të grumbulluara, dhe me një ndeshje më pak të luajtur.

Por, anash përforcimit të jashtëzakonshëm të Prishtinës, duhet theksuar se plagë edhe më e madhe për basketbollin tonë vendor ishte shuarja e klubit të dytë më të trofeshëm në Kosovë, KB Peja, raporton lajmi.net.

Situata shqetësuese është edhe në kategorinë e femrave, ku vashat nga Prizreni, gjithashtu nuk njohin humbje në stinorin vjeshtor.

Kampionet në fuqi, nga tetë ndeshje numërojnë po aq fitore, duke arkëtuar 16 pikë për lidershipin e tabelës.

Duhet theksuar se në vitin 2018, në basketbollin e femrave në Kosovë, është vendosur një rekord i jashtëzakonshëm. Ishte basketbollistja e Prishtinës, Marigona Rushiti, e cila në ndeshjen kundër KBF Vushtrria realizoi plot 116 pikë, që përkthehet si më së shumti pikë brenda një ndeshje të basketbollit.