Mbrëmja e 28 janarit ishte fatale për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Sami Thaqi. Gjatë një bastisje në fshatin Zhur të Prizrenit, ai vdiq tragjikisht. Gjithçka ndodhi pas një shpërthimi, rrethanat e të cilit mbeten ende mister.
Emri i Sami Thaçit do të shënohet në arkivën e institucionit të Policisë së Kosovës, si një nga pjesëtarët e rradhës që vdes në krye të detyrës, shkruan lajmi.net.
Shpërthimi që ndodhi gjatë një bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit, shkaktoi mbrëmë plagë të rënda për pjesëtarin e policisë, Sami Thaçi, i cili më pas ndërroi jetë.
E Thaqi është pjesëtari i 21-të i Policisë së Kosovës i cili që nga paslufta vdes në krye të detyrës.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se numri i zyrtarëve të rënë në detyrë, që nga paslufta është 20, pa përfshirë edhe rastin e mbrëmshëm.
“Sa i përket interesimit tuaj u njoftojmë se: numri i zyrtarëve policorë të rënë në detyrë është 20 zyrtarë policorë”, thuhet në përgjigje.
Ajo që është sfidë e mëtutjeshme për institucionet e sigurisë, është përkujdesja për familjet e të rënëve në detyrë, disa nga të cilët jetojnë në kushte jo aq të mira financiare.
Valbona Kamberi, nga sindikata e Policisë së Kosovës, për lajmi.net thotë se çdo familje e policëve të rënë në detyrë e ka të drejtën e pensionit.
Ajo thotë se ka pasur edhe mjete të ndara sipas vendimit të ministrit të brendshëm, mirëpo vështirësia është e theksuar për shkak edhe të pamundësisë dhe gjendjes së rëndë financiare në Kosovë.
“Çdo familje e policëve të rënë në detyrë e ka të drejtën e pensionit. Ka pasur mjete të ndara edhe për fundvit sipas vendimit të drejtorisë së Përgjithshme por edhe të ministrit të Puneve të Brendshme, gjithmonë pra kur është gjetur mundësia për ndonjë donacion, kanë pasur prioritet ato familje, edhe pse në kohët e fundit nuk ka mundur të realizohet ajo, por herave të tjera gjithmonë është bërë”, ka thënë Kamberi për lajmi.net.
Kamberi thotë se sindikata që ajo udhëheq, është gjithnjë në kontakt me ato familje, për nevojat që ata kanë, dhe në bazë të mundësive, edhe iu ndihmojnë.
“Sa i përket aspektit sindikal, ne jemi gjithmonë në kontakt me ato familje, për çdo nevojë që ato kanë edhe shëndetësore edhe ndonjë kërkesë tjetër, jemi në gjendje t’u ndihmojmë atyre familjeve, pavarësisht se disa nga ato familje kanë kushte të mira ekonomike”, thotë tutje ajo.
Mirëpo ndihmesa e bazuar në donator dhe në mjete të ndara herë pas here nuk është se iu kryen punë shumë familjeve të policëve të rënë në detyrë.