Fjalë Kyçe

25 vjet burg për të akuzuarin që kishte vrarë një person në një kazino në Lipjan

25 vjet burg për të akuzuarin që kishte vrarë një person në një kazino në Lipjan

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda njofton se ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit A.P. për veprat penale Grabitje nga neni 329 par.5 të KPRK-së dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga nenin 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas njoftimit për media, i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) viteve i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim nga dt.03.04.2019 e tutje dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 8.000 (tetëmijë) €, i cili dënim do të ekzekutohet pesëmbëdhjetë (15) ditë, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Me datë 20.03.2019, rreth orës 18:26, në rrugën ‘Bajram Gashi’ në Lipjan, konkretisht në kazinon ‘Matrix’, i akuzuari A.P, me qëllim të përftimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme me përdorimin e forcës, kishte hyrë në kazino duke u sjellë në brendinë e saj përreth 12 minuta, pastaj ishte afruar tek banaku i kazinos dhe nga i dëmtuari tani i ndjeri F.A. kishte kërkuar fillimisht një pije dhe kur tani i ndjeri është kthyer për ta marrë pijen i pandehuri nga brezi kishte nxjerrë pistoletën dhe ia kishte drejtuar viktimës duke i kërkuar paratë, ku ky i fundit ia dorëzon kuletën me të holla dhe shtrihet në tokë për t’i dhënë edhe paratë tjera, pastaj i pandehuri A.P kishte shtënë dy herë me pistoletë në drejtim të tij duke e goditur në pjesën e shpinës me ç’ rast i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri nga viktima kishte marrë shumën e parave në vlerë prej 2700 € dhe ishin larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.