Fjalë Kyçe

29-vjeçari që u vetëvra në Burgun e Dubravës kishte tentuar ta bënte këtë edhe dhjetëra herë më parë

29-vjeçari që u vetëvra në Burgun e Dubravës kishte tentuar ta bënte këtë edhe dhjetëra herë më parë

Pas dhjetëra tentativave për të kryer vetëvrasje, mbrëmjen e së mërkurës 29-vjeçari V.H. (Valdrin Hajra), i dënuar për një sërë veprash penale, në qelinë e tij, në Burgun e Dubravës, ka arritur të kryejë vetëvrasje.

Oficerët e Burgut ndonëse, sipas drejtorit të Burgut, kishin ndërhyrë me kohë, nuk kanë arritur ta shpëtojnë.

Drejtori i Burgut të Dubravës, Ismail Dibrani, thotë se ky i burgosur përveç tentativave për vetëlëndim e vetëvrasje kishte ndezur zjarr brenda qelisë.

“Kemi njoftuar shërbimi shëndetësor kanë tentuar ta kthejnë në jetë në spital pas 15 është konstatuar vdekja. Ka qene i vetëm në dhomë me qarqaf ka kryer varje. Ka pas tentativa të vet varjes edhe herë të tjera po stafi ka arritur ta shpëtoj me kohë. Është rast i trajtuar nga Psikiatria Forenzike por këto raste vendosen në bazë të rekomandimeve të stafit shëndetësor”, ka deklaruar Dibrani.

Sipas Dibranit, lidhur me këtë rast janë njoftuar Prokuroria dhe Policia, derisa edhe vetë ata kanë formuar një komision të brendshëm për të hetuar këtë vetëvrasje.

Por ky institucion tanimë ka një problem tjetër, ende nuk ka arritur të kontaktojë me ndonjë familjar të viktimës për ta marrë trupin.

“Viktima një kohë të gjatë nuk ka pas vizita familjare dhe ne kemi tentuar te kontaktojmë familjen por ka qenë e pamundur. Kemi kuptuar se nuk është në jetë as babai i cili ka ndërruar jetë para 4 muajsh. Mbetet prej policisë që të vendos si do të veprohet më tutje”, shtoi Dibrani.

Viktima V.H. nga Mitrovica, i dënuar për dy vepra penale: “lëndim i rëndë trupor” dhe “vjedhje e rëndë”, i dënuar me 4 vjet burgim, ishte në vuajte të dënimit në Burgun e Dubravës që nga janari i vitit 2017.