Fjalë Kyçe

3-vjeçari bie nga kati i katërt dhe vdes

3-vjeçari bie nga kati i katërt dhe vdes

Një djalë 3 vjeç nga Nju Jorku, i cili po kërcente në shtratin e një dhome në banesën e tezes së tij të premten në mëngjes, ra nga dritarja e katit të katërt mbi shkallët e betonta dhe vdiq.

Fëmija i identifikuar nga policia si Daniel Galeas do ta festonte ditëlindjen e katërt të hënën, shkruan Daily Mail.

Ekipi mjekësor tha se viktima u gjet i shtrirë dhe pa vetëdije. Ai kishte lëndime që tregonin se trupi ka rënë nga një pozitë e lartë.

Fëmija u dërgua me ngut në spital, ku u shpall i vdekur. Gjyshja e djaloshit, Maria Rivera, tha për mediet lokale se fëmija ishte në kujdesin e tezes, sepse nëna ishte duke punuar.

Në kohën e aksidentit në banesë kishte edhe fëmijë të tjerë, por nuk është e qartë nëse ndokush ishte i pranishëm në dhomën e gjumit, nga e cila ra fëmija.

Shtrati në të cilin për kërcente vogëlushi tashmë i ndjerë ishte shumë afër dritares, në të cilën ishte e vendosur një pajisje për klimatizim të dhomës. Policia tha se pajisja ishte e rrethuar me kartonë, njëri prej të cilëve ishte zhvendosur, kur fëmija kishte rënë.

Familja e akuzoi menaxhmentin e ndërtesës se ka dështuar që ta vendosë në vend të sigurt pajisjen për klimatizim, por menaxhmenti pretendoi se banorët e kanë instaluar vetë atë objekt.