Fjalë Kyçe

30 mijë qytetarë në Kosovë kanë sigurime shëndetësore

30 mijë qytetarë në Kosovë kanë sigurime shëndetësore

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të vetmit në rajon që nuk kanë sigurime shëndetësore. Ani pse Ministrat e Shëndetësisë secili që vije në pushtet premton, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur që sa vite.

Edhe ministri aktual, Uran Ismaili pati thënë se sigurimet shëndetësorë do të bëheshin në fund të vitit 2018, mirëpo, nuk ndodhi.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë për Indeksonline kanë thënë se edhe pse është premtuar për një kohë të gjatë, puna në terren nuk ka qenë askund.

“Viti 2018 ka qenë viti i investimeve në spitale, shtimit të pajisjeve, ndërtimit të disiplinës, luftimit të korrupsionit, viti 2019 do të jetë viti edhe i funksionalizimit të plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Normalisht, investimet dhe politikat zhvillimore në Ministrinë e Shëndetësisë nuk do të ndalen, përkundrazi. Por, çdo ditë e më shumë po i afrohemi realizimit edhe të sigurimeve. Nuk ka qenë e lehtë aspak që ta sjellim këtë proces në këtë pikë, pasi që edhe pse është premtuar për një kohë të gjatë, realisht puna në terren nuk ka qenë askund”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Ndërsa, nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli shpreson që ky vit është i fundit pa sigurime shëndetësore.

Sipas tij, prioritare për pjesëtarët e policisë është sigurimi i shëndetit të tyre.

“Shpresojmë që ky vit është i fundit pa sigurime shëndetësore dhe këtë vit të filloj funksionalizimi i tyre. Ne e kemi thënë disa herë, numër një për ne është sigurimi shëndetësor e pastaj kërkesat e tjera si rrezikshmëria, puna jashtë orarit, ndërrimi i natës, të cilat këto i kemi rregulluar tani. Por, prioritet për ne është sigurimi, është e domosdoshme e nevojshme. Por, do të kërkojmë prapë takime. Kryeministri është zotuar se do të këtë sigurime, tani jemi në pritje. Presioni jonë nuk do të ndalet në qeveri derisa të kemi sigurime”, ka deklaruar Tasholli.

Venhar Hana, Shef i Zyrës Ligjore dhe Administratë në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (SHSK) thotë për shkak të gjendjes aktuale dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë vetëm rreth 30 mijë qytetarë janë të mbuluar.

 

“Aktualisht, pjesa më e madhe e anëtarëve të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, që janë kompanitë e sigurimit të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës, ofrojnë produktin e sigurimeve shëndetësore. Në këtë aspekt, për shkak të gjendjes aktuale dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë përfshirja e qytetarëve në mbulimin nga ky produkt është i vogël (rreth 30 mijë të siguruar) dhe se industria e sigurimeve ka hapësirë dhe kapacitete për ofrimin e këtij shërbimi për numër shumë më të madh të qytetarëve. Sigurisht, mungesa e sigurimeve shëndetësore edhe për shkak të mos funksionalizimit të strukturave të caktuara të ministrive përkatëse, vë qytetarët përballë rreziqeve të mëdha për shëndetin e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet përfshirja në skemat e mbrojtjes së shëndetit të tyre pa përjashtim.

“Mirëpo nën kushtet e funksionimit të shoqërisë dhe instrumenteve shtetërore, domosdoshmëria e pasjes së sigurimeve shëndetësore paraqitet për profesionet e caktuara për të cilat vlerësohet dhe konsiderohen se u ekspozohen rreziqeve të shtuara për dëmtimin e shëndetit, siç janë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe subjekte të tjera që mund të kualifikohen brenda këtij kategorizimi. Kur flasim për subjekte të tjera, duhet të mendojmë edhe për të punësuarit në sektorin e ndërtimeve ku gjatë vitit që kemi lënë pas, shumë prej tyre kanë pësuar lëndime në vendin e punës dhe disa të tjerë kanë humbur jetën dhe, këto raste duhet të trajtohen me të njëjtën shkallë të përgjegjësisë sikurse palët tjera që kemi përmendur më sipër”, ka shtuar mes të tjerash Venhar Hana.

Ai ka theksuar se përgjatë vitit 2018, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës disa herë ka kërkuar vëmendjen institucionale të institucioneve të vendit për të mundësuar mbrojtjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës fillimisht, nga dëmtimi i shëndetit të tyre.

“Ne kemi ndihmuar institucionet përkatëse në të kuptuarit e rëndësisë së pasjes së sigurimit shëndetësor, ashtu që njerëzit të cilët në çdo kohë janë në shërbim e në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve tonë, të kenë një siguri ashtu që nën kushtet e dëmtimit të shëndetit të tyre apo humbjes së jetës, të gëzojnë shërimin sa më të mirë për ta dhe në rastin tjetër, familjet e tyre të kenë një mbrojtje financiare në të ardhmen. Gjatë këtij viti, ne do të japim kontributin tonë të vazhdueshëm në sensibilizimin e institucioneve të vendit dhe palëve të interesat për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e pasjes së sigurimeve shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe kategorive e profesioneve që kanë rrezikshmëri të lartë”, ka shtuar ai.

Kurse, zyrtarë nga MSH kanë ritheksuar se deri në fund të këtij viti do të bëhet funksionalizimi i plotë i fondit të sigurimeve dhe rimbursimi i barnave jashtëspitalore.

“Si përfundim, deri në fund të vitit 2019 do të bëjmë funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe nisjen e mbledhjes së premiumeve. Si hapë i parë në këtë drejtim, deri në mesin e këtij viti, do të nisë edhe rimbursimi I barnave jashtëspitalore, si shërbim i parë i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjën e tyre.

Ndërsa, edhe Kryeministri Ramush Haradinaj është zotuar në përkrahje që qytetarët të kenë sigurime shëndetësore e sidomos policët të cilët janë rrezikuar vazhdimisht gjatë orarit të punës.