Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Drejtorin e GIZ në Kosovë, David Oberhuber dhe drejtoreshën e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, Jehona Rexha, takuan 34 përfituesit nga masa e vetëpunësimit.
Në kuadër të kësaj mase, të rinjtë fillimisht janë trajnuar për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit, e ku në mesin e mbi 100 të trajnuarve, 34 sosh janë përzgjedhur për të qenë përfitues të granteve individuale me vlerë deri në 3,000 euro.
Ideatorët e planeve të përzgjedhura u pritën sot nga Ministri Murati i cili ritheksoi mbështetjen ofruar të rinjve në punësim dhe vetëpunësim.
Ndër të tjera, Ministri Murati shprehi se “ si MFPT, po fuqizojmë të rinjtë të materializojnë idetë e tyre duke hapur biznese ku përveç mbështetjes financiare, ofrojmë edhe mentorim përgjatë muajve të parë të operimit të biznesit”.
Nga ana e tij, drejtori Oberhuber theksoi bashkëpunimin ndërmjet GIZ dhe APRK në zbatimin e disa projekteve të përbashkëta, ku synimi është zhvillimi i masave aktive të tregut të suksesshme që kanë potencial të shndërrohen në skema të përhershme.
Drejtoresha Rexha theksoi rëndësinë e masës së vetëpunësimit si shtysë për nxitjen e ndërmarrësve në mesin e të rinjve, duke thënë se kjo masë tashmë mundëson kalimin e 34 punëkërkuesve në punëdhënës.
Pjesa e dytë e takimit u fokusua në një diskutim të hapur ndërmjet Ministrit Murati dhe të rinjve përfitues, ku këta të fundit patën mundësi të shpalosin idetë e tyre por edhe të marrin këshilla në rrugën e tyre drejt ndërmarrësisë.