Për Komisionin Europian, vendimi i opozitës për të djegur mandatet dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe shihet si joproduktiv. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, në konferencën për shtyp të mesditës tha se Parlamenti është vendi ku bëhen diskutimet e mëdha.
“Vendimi i opozitës, në këndvështrimin tonë dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri, pasi Parlamenti është vendi ku zhvillimet e rëndësishme dhe reformat duhen diskutuar dhe avancuar, jo bojkotuar. Vendimi i opozitës shihet si joproduktiv, bie ndesh me zgjedhjen demokratike të qytetarëve shqiptarë, si dhe dëmton edhe përparimet e bëra deri më tani në rrugën europiane”, tha Maja Koçijançiç.
Komisioni, sipas Koçijançiç pret që deputetët shqiptarë të mbrojnë idetë dhe parimet e demokracisë në Parlament, e të evitojnë aktet e dhunës dhe deklaratat nxitëse, shkruan TCh.
“Ne presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime për të kapërcyer situatën, në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një thirrje shumë e qartë, që ne vazhdojmë ta konsiderojmë të vlefshme”, tha Koçijançiç.
Në lidhje me Reformën në Drejtësi, edhe njëherë Koçijançiç ka theksuar se është më e rëndësishme cilësia e procesit, sesa shpëjtësia e tij. Zëdhënësja e KE-së thotë se vettingu ka dhënë rezultate konkrete dhe se Komisioni do të ndalet gjerësisht te ky proces në raportin e përvitshëm të zgjerimit, në pranverë.