Fjalë Kyçe

Presidenti i La Ligës tregon se cili është lojtari më i mirë në histori

Presidenti i La Ligës tregon se cili është lojtari më i mirë në histori

Përkundër që e konsideron veten tifoz të Real Madridit, presidenti i La Ligës, Javier Tebas, nuk ka asnjë dyshim që ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.

Në një intervistë për radiostacionin spanjoll, COPE, Tebas e ka shprehur edhe një herë adhurimin e tij për Messin. Sipas tij, nëse mendoni që Cristiano Ronaldo, Diego Maradona apo dikush tjetër është më i mirë se Messi, atëherë ju nuk dini asgjë për futbollin, përcjell Gazeta Express.

“Unë jam tifoz i Real Madridit, por kushdo që thotë se Messi nuk është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve në këtë sport, atëherë ai person nuk di asgjë për futbollin”, ka thënë Tebas.

Argjentinasi ka bërë vazhdimisht paraqitje të mrekullueshme për Barcelonën, që kur iu bashkua kësaj skuadre në vitin 2000, kur u bë pjesë e ekipit të të rinjve. Gjatë këtyre 19 vjetëve në Spanjë, Messi ka thyer rekord pas rekordi e tani njihet nga shumë njerëz si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.

Messi është shpërblyer për arritjet e tij si me çmime individuale, ashtu edhe me tituj të fituar bashkë me Barcelonën. Ai e ka fituar pesë herë Topin e Artë, shtatë herë çmimin për lojtarin më të mirë të La Ligas, në mesin e shumë të tjerëve.

Ndërsa, me Barcelonën është treguar i suksesshëm në shumë gara dhe në kabinetin e klubit i ka shtuar plot 32 trofe, ndër të cilat janë edhe katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe nëntë tituj të La Ligës.

Përkundër që është 31-vjeçar, Messi ka vazhduar t’i lë të gjithë gojëhapur me paraqitjet e tij të këtij sezoni. Ai i ka shënuar 30 gola dhe i ka asistuar 17 të tjera në vetëm 31 ndeshje.

Argjentinasi i kryeson listat për më së shumti gola të shënuara dhe më së shumti asiste në Evropë, përkundër që dy lëndime e kishin lënë atë jashtë fushës për disa ndeshje.