Fjalë Kyçe

4 të arrestuar si të dyshuar për dy shpërthime më 2010 në Prishtinë

4 të arrestuar si të dyshuar për dy shpërthime më 2010 në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, është duke trajtuar rastin e dy shpërthimeve që kanë ndodhur në komunën e Prishtinës në vitin 2010. Tani për këto dy shpërthime janë arrestuar 4 persona të cilët gjenden në ndalim prej 48 orësh.

Të arrestuarit janë A.A i lindur në fshatin Vranidoll të komunës së Prishtinës (40 vjeç), Sh.Z i lindur në Prishtine (60 vjeç), B.K (43 vjeç) nga fshati Damanek, komuna e Malishevës(43 vjeç) si dhe i dyshuari tjetër V.R i lindur në Prishtinë (40 vjeç).

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të caktojë masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve.

Ata dyshohen se qëndrojnë prapa dy shpërthimeve me bomba të cilat kanë shkaktuar dëme në zyrat e kompanisë “ITC” në lagjen Dardania. Motivi për këto shpërthime ishte një kontest pronësor.

“Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.A. më 25 Maj 2010, pas mesnate në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë i shtytur nga të dyshuarit B.K. dhe SH.Z. dhe i ndihmuar nga i dyshuari V.R. me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit lidhur me një kontest pronësor, ka vendosur dy granata dore dhe një bombole gazi, në derën e zyrave të kompanisë ‘ITC’, të dëmtuarit H.K. ashtu që njëra nga granatat dhe bombola e gazit ka shpërthyer ku me këtë veprim i njëjti ka shkaktuar rrezik për jetën e të dëmtuarit dhe qytetarëve në atë zonë duke shkaktuar edhe dëme materiale në vlerë të pa përcaktuar. Po ashtu, i njëjti më 07 Shtator 2010, pas mesnate, në të njëjtin vend dhe me të njëjtin qëllim, i shtytur dhe i ndihmuar nga të dyshuarit e lartcekur, ka vendosur granatë dore dhe bombolë plini, të cilat kanë shpërthyer, duke shkaktuar për të dëmtuarin ankth, pasiguri për jetë dhe dëme material”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Prokuroria sqaron se të dyshuarit kanë kryer veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armës, shtytje në vepër penale dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale.

“Të dyshuarit SH.Z., dhe B.K., me qëllim të përfitimit material, lidhur me një kontest pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të dyshuarit A.A., e kanë shtytur të njëjtin që të ndërmerrte veprimet e lartcekura. Me këto veprime të dyshuarit SH.Z. dhe B.K., dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale ‘Shtytja e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’. I dyshuari V.R., me qëllim të përfitimit material, dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin A.A. I njëjti dyshohet se ka kryer verën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.