Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se janë testuar 46 punëtorë për koronavirus. Ata kanë pasur kontakt me punëtorë e KEK-ut që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Po ashtu është raportuar se pritet testimi edhe i 17 punëtorëve tjerë.
Ndërkohë është njoftuar se nga nëntë punëtorët që kanë rezultuar pozitiv dy kanë simptoma më të theksuara, njëri gjendet në spital për trajtim.
Është bërë po ashtu ndryshim në orarin e punës, ku do të punohet në dy ndërrime nga 12 orë në prodhim dhe në mirëmbajtje vetëm një ndërrim nga 12 orë.
“Kryeshefi Ekzekutiv, z. Luigj Imeri ka kontaktuar të gjithë kolegët të cilët kanë rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Me ç’rast, dy nga nëntë kolegët tanë kanë shprehur se kanë simptoma më të theksuara, njëri gjendet në spital për trajtim, ndërsa të tjerët gjenden në vetizolim dhe me gjendje të mirë (pa simptoma) dhe stabile. Në anën tjetër, falë bashkëpunimit të shkëlqyer me IKSHPK-në, sot janë testuar edhe 46 nga 63 kolegët tone që dyshohet se kanë pasur kontakt me kolegët që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Për më tepër, Komiteti i Sigurisë në nivel të Korporatës dhe u.d. Kryeshefi Ekzekutiv pas analizimit të situatës ka vendosur të ndryshoj orarin e punës në njësitë prodhuese DPQ, TCA dhe TCB. Si rrjedhojë, tani e tutje në prodhim do të punohet me dy ndërrime nga 12 orë, ndërsa në mirëmbajtje do të punohet në grupe vetëm në ndërrimin e parë gjithashtu me orar 12 orë, hap ky që do të shmang në masë lëvizjen e punëtorëve të cilët udhëtojnë nga të gjitha trevat e Kosovës”, është njoftuar nga KEK-u.