“Vrasje e rëndë”. Kështu po hetohet nga Policia e Kosovës rasti i së hënës kur një person u gjet i vdekur brenda një makine të djegur në Skenderaj.
Siç njofton Policia, dyshohet se personi brenda makinës është vrarë, para se makina të përfshihej nga flakët, pasi që në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gëzhoja të plumbave.
Viktima dyshohet të jetë I.Z., 48-vjeçar.
“Rreth orës 19:00 të datës 8 prill 2019, Policia ka pranuar informacion se në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt, një veturë ishte kapluar nga zjarri. Drejtë vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore dhe njësia e zjarrfikësve ku pas fikjes së zjarrit brenda në veturën e djegur është gjetur një trup i pajetë. Nga hetimet e para dyshohet se trupi i pajetë është i viktimës I. Z. rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të viktimës”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës.
“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës. Marrë parasysh të gjeturat fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet tjera rethanore, sipas prokurorit të rastit hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘vrasje e rëndë’. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, përfundon njoftimi.