Fjalë Kyçe

5 Marsi 2014, datë e krenarisë dhe fillim i epokës së re për futbollin e Kosovës

5 Marsi 2014, datë e krenarisë dhe fillim i epokës së re për futbollin e Kosovës

Sot u bënë 5 vite nga thyerja e izolimit të futbollit të Kosovës, shkruan GazetaAlo.

Pesë vite më parë, Kombëtarja jonë për herë të parë luajti një ndeshje zyrtare ndërkombëtare me lejen e FIFA-s.

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ishte dhe do të mbetet simbol i kësaj date, që pa dyshim do të gdhendet me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës, ngase përfundimisht u thye izolimi prej dy dekadash e gjysmë.

Me të drejtë ndeshja miqësore Kosova – Haiti u luajt nën moton ‘Historia shkruhet vetëm njëherë’, sepse vërtet ishte historike. Të gjithë që ishin në stadium, por jo vetëm ata, u ndjen krenarë në përkrahje të djemve tanë Dardanë.

Në këtë datë të rëndësishme, të këtij muaji të veçantë për kombin tonë, uroj të gjithë futbollistët që ishin pjesë e fazës së parë të ndërtimit të Kombëtares, pastaj të gjithë njerëzit që kontribuuan për këtë ditë, të gjithë miqtë dhe ata që i besuan bindjes tonë se futbolli është për të gjithë.

Uroj dhe i falënderoj të gjithë ata që e duan futbollin, që kultivuan mirësi, vendosmëri dhe profesionalizëm ndër vite, si dhe të gjitha gjeneratat paraprake që luajtën, investuan dhe e mbajtën gjallë zinxhirin e kontiuinitetit të futbollit.

Që nga 5 marsi i vitit 2014 kemi bërë hapa të mëdhenj përpara dhe si komunitet i futbollit po vazhdojmë që me punë, disiplinë e përgjegjësi t’i shërbejmë vendit tonë dhe ngritjes e zhvillimit të Kombëtares në nivelet më të larta.
Jam i bindur se që gjatë rrugëtimit tonë do të kemi shumë data tjera të rëndësishme për sukseset e Kombëtares, por gjithsesi se 5 marsi 2014 do të mbetet përgjithmonë si një datë për t’u rikujtuar me krenari, pasi na liroi nga getoizimi i padrejtë.

Së bashku do të vazhdojmë të punojmë me krenari e përgjegjësi për të mirën e futbollit të Kosovës.

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së. /GazetaAlo