E ardhmja e Elseid Hysaj duket se nuk do të ketë më dyshim, ajo është vendosur tashmë dhe gjërat po përgatiten në mënyrë të atillë, që në janar mbrojtësi i djathtë i Napolit, të bashkohet me ish-trajnerin, Maurizio Sarri në Londër.
Prestigjiozja britanike, “The Sun”, ka shkruar këtë të diel se Chelsea është duke bërë gati ofertën për Napolin, për të blerë kartonin e futbollistit shqiptar.
Sipas “The Sun”, skuadra e Premier League ka gati 20 milion paund, për të blerë shërbimet e mbrojtësit të djathtë. Pra natyrshëm, nëse do të konvertohej në euro, kjo shumë nuk shkon aq sa klauzola prej 50 milion eurosh që ka Hysaj te Napoli. Gjithsesi, duke u nisur nga paraqitjet e fundit por dhe humbja e vendit të titullarit, Napoli mund të negociojë për transferimin.
Maurizio Sarri e njeh mirë Elseid Hysajn, pasi ai e ka formuar taktikisht mbrojtësin shqiptar, që kur e kishte nën urdhrat tek Empoli e më pas te Napoli për pesë vite. Ndërkohë pak ditë më parë Telesport zbuloi ekskluzivisht edhe emrin që pritet të zëvendësojë Elseid Hysajn te Napoli. Ai është një tjetër mbrojtës krahu, që aktualisht luan për Redbull Salsburg.
Transferimi i Hysajt në janar te Çelsi është i mundur, nëse Napoli do të refuzojë të rinovojë kontratën sipas kushteve që ka vendosur agjenti i futbollistit shqiptar. Mario Giuffredi, së bashku me futbollistin, kërkojnë që paga e lojtarit të rritet në 3 milion euro në sezon nga 1.8 që është aktualisht.
Tjetër kërkesë është ajo e heqjes së klauzolës së transferimit, çka do ti jepte mundësi futbollistit kuqezi të shihet mundësi më të mira për transferim, pa pasur pengesa në kontratë.