Autoritetet filipine urdhëruan të hënën një hetim mbi rrëzimin e një aeroplani të Forcave Ajrore që tejkaloi një pistë duke vrarë 47 ushtarë në bord, tre civilë në tokë dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Disa pasagjerë në Lockheed C-130 kërcyen sekonda para se avioni të rrëzohej dhe të shpërthente në flakë gjatë fundjavës, sipas dëshmitarëve, transmetojnë mediat e huaja.
Avioni, që mbante trupa të sapodiplomuar të nisur për operacione kundër kryengritjes, kishte qenë duke u përpjekur të ulej në aeroportin Jolo në provincën jugore Sulu.
96 pasagjerë ishin në bord, me 49 personel ushtarak të plagosur, si dhe katër civilë në tokë, ka thënë zëdhënësi ushtarak gjeneral majori Edgard Arevalo.
Në një konferencë për shtyp, Arevalo ka thënë se avioni ishte në “gjendje shumë të mirë” dhe kishte 11.000 orë fluturimi të mbetura para se të fillonte mirëmbajtja e radhës.
Sekretari i Mbrojtjes, Delfin Lorenzana, urdhëroi një hetim mbi katastrofën ajrore më të rëndë ushtarake të vendit në gati 30 vjet.
Komanda ushtarake ka thënë se ushtarët po fluturonin në aeroportin provincial të Jolo nga Laguindingan për t’u vendosur në batalionet e tyre. Ushtria filipine në arkipelagun e gjerë lufton për një kohë të gjatë kundër militantëve islamikë nga Abu Sayyaf dhe fraksione të tjera.
Nuk kishte asnjë shenjë që avioni u rrëzua nga zjarri kryengritës, thanë zyrtarët.
Avioni Lockheed kishte arritur vetëm kohët e fundit në Filipine dhe ishte një nga dy të siguruar nga qeveria e SHBAs-ë përmes Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes.
Uebfaqja C-130.net ka thënë se avioni që u rrëzua kishte fluturuar për herë të parë në vitin 1988.
Forcat e armatosura filipine kanë një rekord të dhimbshëm të sigurisë ajrore. Muajin e kaluar një helikopter Black Hawk u rrëzua gjatë një misioni trajnimi, duke vrarë gjashtë vetë.
Rrëzimi më i keq i aeroplanit në vend ishte ai i një Boeing 737 të Air Philippines në vitin 2000, i cili vrau 131 njerëz.