Udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik (IS), Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë në një operacion të forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në veriperëndim të Sirisë, bëri të ditur presidenti amerikan, Donald Trump.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se Baghdadi e shpërtheu jelekun e tij vetëvrasës gjatë sulmit që u zhvillua të shtunën vonë.
“Ai ka vdekur si një qen”, tha Trump.
Që nga orët e para të së dielës, mediat në SHBA kanë raportuar se ushtria amerikane ka kryer një operacion kundër udhëheqësit të arratisur të grupit ekstremist.
Shtëpia e Bardhë po ashtu e ka paralajmëruar fjalimin e presidentit Trump, por fillimisht nuk ka dhënë detaje.
Trump, më herët, ka shkruar në Twitter se “diçka shumë e madhe sapo ka ndodhur”.
Mazloum Abdi, komandant i Forcave Demokratike Siriane në Siri, grup i udhëhequr nga kurdët, tha të dielën se një “operacion historik dhe i suksesshëm” ka rezultuar nga “puna e përbashkët” me SHBA-në.
Turqia po ashtu tha se ka bashkëpunuar me ushtrinë amerikane përpara operacionit, duke e përshkruar atë si “një ditë të mirë për djemtë e mirë”.
Udhëheqësi i Shtetit Islamik është raportuar gabimisht i vrarë në disa raste të mëparshme.
Baghdadi është përshkruar si njeriu më i kërkuar në botë.
Në tetor të vitit 2011, SHBA-ja e ka shpallur atë “terrorist” dhe ka ofruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për informacione që çojnë në kapjen ose vdekjen e tij.
Baghdadi ka lindur pranë Samaras, në veri të Bagdadit, në vitin 1971, dhe emri i tij i vërtetë është Ibrahim Awad al-Badri.
Sipas disa raporteve, ai ka qenë klerik në një xhami në qytet, në kohën e pushtimit të Irakut nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, në vitin 2003.
Disa besojnë se ai ka qenë militant xhihadist gjatë sundimit të ish-liderit të Irakut, Saddam Hussein.
Të tjerë sugjerojnë se ai është radikalizuar gjatë katër vjetëve sa është mbajtur në Kampin Bucca, një strukturë amerikane në jug të Irakut, ku janë mbajtur shumë komandantë të Al-Kaidës.
Ai ka katër fëmijë me gruan e tij të parë dhe një djalë me gruan e tij të dytë.
Në muajin prill është shfaqur në një video për herë të parë në pesë vjet.
Në këtë video, vërtetësia e së cilës nuk është konfirmuar nga Radio Evropa e Lirë, Baghdadi ka thënë se Shteti Islamik do të marrë hak për vrasjen dhe burgosjen e luftëtarëve të tij.