Çështja e të pagjeturve tash e 20 vite mbetet barrë e madhe e pazgjidhur për institucionet e Kosovës. Familjarët nga qeveria e ardhshme e Kosovës kërkojnë që për fatin e të zhdukurve të diskutohet në Bruksel. Madje ata presin që të jenë edhe pjesë e ekipit negociator për dialogun me Serbinë. Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë, por që fillimisht do të rishikohen marrëveshjet e deritanishme të nënshkruara me palën serbe.
Lutfie Ademi Vokshi nga qyteti i Mitrovicës ka 20 vite që pret lajm për vëllain e saj, Adem Ademin, i cili është zhdukur më 19 prill të vitit 1999, kur së bashku me një grup prej 23 personash, nëpër mal kishin provuar të dalin nga Kosova në drejtim të Malit të Zi.
Kjo thotë se ka prova që vërtetojnë se ushtria serbe di për vendndodhjen e vëllait të saj.
Derisa flet për vëllain e saj me shumë emocione e dhimbje, motra Lutfia thotë se si familjarë aspak nuk janë të kënaqur me punën institucionale, prandaj, ajo kërkon që çështja e të pagjeturve të shtrohet në Bruksel.
Ajo kërkon që në grupin negociator me palën serbe të ketë edhe familjarë të të zhdukurve.
Përfaqësim dhe diskutim për të pagjeturit në Bruksel kërkon edhe Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, i cili pret që qeveria e re t’ia kthej seriozitetin çështjes së të pagjeturve.
Sipas tij, sikurse politika kosovare të kishte bërë presion më të madh dhe të ishte më serioze fati i të pagjeturve tashmë do ishte zbardhur ose i ishte vendosur si kusht palës serbe.
Çerkini pret nga qeveria e ardhshme që çështja e të zhdukurve të diskutohet në Bruksel, e po ashtu familjarët të jenë pjesë e këtij dialogu.
Edhe koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara thotë se çështja e personave të zhdukur duhet të shihet me prioritet nga qeveria e ardhshme e Kosovës.
Derisa kërkon që çështja e të pagjeturit të kalojë në dialogun politik, Gara konsideron se vetëm presioni ndërkombëtar mund ta bind shtetit serb për hapjen e arkivave.
E lidhur me kërkesën e familjarëve të të pagjeturve që të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi nuk e përjashton këtë mundësi, por thotë që fillimisht do të rishikohen marrëveshjet e deritanishme të nënshkruara me palën serbe.
Bislimi vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje do të fillojë negociatat me të gjithë faktorët relevant vendor që janë të prekura nga bisedimet me shtetin serb.
Edhe 20 vite pas luftës ende nuk duhet fati dhe vendndodhja edhe e 1 mijë e 650 personave të tjerë.