Fjalë Kyçe

Sot publikohen rezultatet e rinumërimit të votave

Sot publikohen rezultatet e rinumërimit të votave

Rinumrimi 1 mijë e 407 kutive ka përfunduar dje.

Procesi i rinumërimit të këtyre kutive ka filluar 12 ditë më parë, pas miratimit të ankesave të subjekteve politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Pa konfirmimin e PZAP-së dhe të Gjykatës Supreme, se nuk janë duke shqyrtuar ndonjë çështje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të certifikojë rezultatet e 6 tetorit.

Në anën tjetër, pas përfundimit të rinumërimit, kanë reaguar koalicioni Nisma-AKR-PD.

“Përfundimisht koalicioni NISMA-AKR-PD pjesë e Kuvendit të Kosovës. Pas përfundimit të rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve dhe numërimit të të gjitha votave të rregullta, vullneti i qytetarëve të Kosovës u lexua. NISMA dhe koalicioni ynë do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Tanimë mund të flasim për një rezultat të rregullt zyrtar”, thuhet në reagimin e Nismës në Facebook.

Drejtuesit e këtij koalicioni kanë falënderuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit për mbështetje.

Lidhur me administrimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, subjektet politike kanë kohë 24 orë të parashtrojnë ankesë në panelin zgjedhor për ankesa.