Janë 56 të burgosur të cilët nga burgjet e Kosovës janë arratisur ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e vikendit jashtë.
Në këtë listë ka persona të arratisur qysh nga viti 2007 e deri këtë vit në dy të fundit që bënë bujë në vend – Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues i Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, ka thënë se Hajrizi dhe Metaj e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit të vikendit në shtëpi kur janë larguar.
“I dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuar prej 25 vitesh, ai ka përfunduar 1/2 e dënimit në vitin 2012 dhe sipas legjislacionit në fuqi i dënuari i cili kalon 1/2 e dënimit, ka të drejtë ta kalojë vikendin në shtëpi. I njëjti për disa herë ka shfrytëzuar këtë mundësi, pra e ka kaluar vikendin në shtëpi por është rikthyer në burg”, u shpreh Dibrani, teksa foli edhe për të arratisurin tjetër, Ujkan Mataj i dënuar më 11 vjet burgim pas i njëjti kishte ndihmuar Kamer Metajn të kryejë grabitje në një bankë në Istog, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Izet Demaj si dhe grabitësi i bankës.
“Po ashtu i dënuari tjetër (Ujkan Mataj) ka qenë i dënuar më 11 vite dhe i njëjti në janar të këtij viti e ka fituar të drejtën për ta shfrytëzuar vikendin në shtëpi”, u shpreh Dibrani.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se arratisje nga burgjet ka pasur edhe në të kaluarën dhe se mund të ketë edhe në vazhdimësi. Duke folur për dy rastet e fundit, Sallahu është arsyetuar se kanë ndodhur në qendra korrektuese të tipit të hapur.
Në një konferencë për media, Sallahu ka thënë se këto institucione nuk i nënshtrohen masave të larta të sigurisë, sepse qëllimi është realizimi i programeve avancuese për të burgosurit që i nënshtrohen rehabilitimit dhe integrimit.
“Përkundër të arriturave dhe punës së vazhdueshme, këto ditë në njësi të tipit të hapur janë larguar dy të burgosur, të njëjtit kanë qenë shfrytëzues të vikendit, më lini të theksoj se në Republikën e Kosovës kemi dy tipe të institucioneve korrektuese, tipe të mbyllura me siguri të lartë, si dhe tipe të hapura ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta. Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim”, ka thënë Sallahu.
Në fund, ai ka thënë se largime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, dhe se mund të ketë sërish
Ai ka thënë se pas ngjarjeve të ndodhura së fundi, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi ta marrin raportin e Inspektoratit do të marrin vendimet adekuate.