Fjalë Kyçe

LVV nuk do ta lejojë Driton Selmanajn në Kuvend, zv.kryeministri nuk përgjigjet se si do të veprojë

LVV nuk do ta lejojë Driton Selmanajn në Kuvend, zv.kryeministri nuk përgjigjet se si do të veprojë

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se nuk do të lejojë mbajtjen e seancave në Kuvendin e Kosovës kur është i pranishëm zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. Partia e Albin Kurtit vlerëson se Selmanaj nuk duhet ta marrë më fjalën në Kuvend, për shkak të deklaratës së tij për personat e pagjetur.

Deputeti i LVV-së, Dimal Basha tha dje se Grupi Parlamentar i kësaj partie ka vendosur që të mos lejojë vazhdimin e seancave kur aty të jetë i pranishëm Selmanaj. Ndërsa, më vonë i ftuar në “Frontal” në T7, deputeti Mefail Bajqinovci, tha se Selmanaj e ka vendin në Qeverinë e Beogradit dhe jo në Qeverinë e Kosovës.

“Ai njeri që u lodhë me punën e të pagjeturve e ka vendin në Beograd jo në Qeverinë e Kosovës…Nuk do ta lejojmë në Kuvend, ai nuk duhet ta marrë më fjalën në Kuvendin e Kosovës. Ai është zv/kryeministër, por me atë fjalor mund të jetë në qeverinë e Vuçiqit e jo këtu”, tha Bajqinovci në “Frontal”, transmeton Gazeta Express.

Bajqinovci shtoi se deklarata e Selmanajt për të pagjeturit është e pafalshme, teksa shtoi se “me këtë nuk bëhet hajgare, është çështje e ndishme e popullit tonë”.

Deputeti i LVV-së tha se nëse është lodhë Selmanaj le “të bëhet zv/kryeministër në qeverinë e Beogradit”.

“Ky njeri nuk e ka vendin këtu, sa më shpejt që të largohet ky person është aq më mirë për vendin”, shtoi ai.

Pas publikimit të qëndrimit të LVV-së ndaj Driton Selmanajt, Gazeta Express ka tentuar të marrë një prononcim nga zv.kryeministri, për të parë se si do të veprojë ndaj paralajamërimit të partisë së Albin Kurtit, por i njëjti nuk është përgjigjur as dje e as sot.