Kandidatja nga lista e LVV-së, Vasfije Krasniqi-Goodman, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se do të ishte e gatshme të merrte pjesë në delegacionin e Kosovës që negocion me Serbinë.
“Sigurisht nëse më jepet mundësia pse jo. Ata duhet me ditë të vërtetën, është ndryshe kur e ke një viktimë, të ballafaqohesh, ta kesh përpara një viktimë, e Serbia krimet që i ka bërë të mos mundohet të mohojë. Historitë tona duhet të ngrihen në çështje ndërkombëtare, të dinë tjerët çfarë kanë bërë. Serbia mos me dal qysh ka dal tash e 20 vjet, por Serbia duhet të dënohet për atë që ka bërë. Jam e gatshme të kontribuoj për vendin tim, ta them të vërtetën dhe asgjë më shumë”, ka thënë Vasfija, një prej mijëra grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovës.
Në programin e LVV-së, thuhet se do të ngrihet padi ndaj Serbisë për krimet e gjenocidin e kryer në Kosovë.
“Mund të jetë shumë e arritshme kjo, nëse politikanët tanë, të gjithë së bashku, punojmë për të mirën e Kosovës dhe për viktimat e krimeve që i ka bërë Serbia në Kosovë. Mos t’i falim ato krime, por duhet me denoncu Serbinë për gjitha që i ka bërë. Duhet të bashkëpunojmë shqiptarët mes vete, pavarësisht se çfarë partie politike jemi, duhet të dinë gjithë shqiptarët se kush është armiku ynë. Partitë politike me disa fjalime që po i bëjnë me do vene, po më duket se kanë harruar kush është armiku i Kosovës. Shqiptarët duhet të bashkëpunojmë sa më shumë e më mirë, për me denoncu Serbinë për këto krime, për të gjitha krimet”, ka thënë ajo.
Kandidatja për deputete nga lista e Vetëvendosjes, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka deklaruar se synon të bëhet deputete për të kërkuar drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale.
Krasniqi-Goodman, një ndër gratë e dhunuara gjatë luftës, ka thënë në Interaktiv të KTV-së Ligji për të mbijetuarat e luftës duhet t’i ketë disa ndryshime dhe përfituesit të kenë disa benefite.
“Komisioni për Verifikimin e Viktimave të Dhunës po bën një punë të mirë dhe duhet t’i falënderohemi organizatave që janë marrë me viktimat tash e 20 vjet dhe ish-presidentes Jahjaga. Mua më shqetëson që Komisioni po punon shumë ngadalë, ka shumë raste që po refuzohen dhe qëllimi im është që të ketë në dorë të parë që të bëhet diçka për Komisionin për të vazhduar mandatin dhe ta shpejtojë procesin”, ka thënë ajo
Krasniqi-Goodman ka përmendur rastet kur disa deputetë nuk e kanë votuar Ligjin, duke thënë se ata nuk e kanë vlerësuar mundin dhe vuajtjet e të dhunuarave të luftës.
“Sa i përket personave të vrarë dhe të zhdukur, drejtësia në Kosovë nuk ka bërë diçka që të krenohemi ne që jemi shqiptarë dhe që nuk po e harrojmë historinë tonë por po e lëmë Serbinë të paraqitet viktimë ndërsa shqiptarët po marrin dënime”, ka thënë ajo.
Vasfije Krasniqi-Goodman beson se Lëvizjen Vetëvendosje i bashkon shumëçka, sidomos kur bëhet fjalë për drejtësinë e vonuar, siç tha ajo.
Krasniqi, një prej mijëra grave kosovare të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se me VV-në i bashkon qëndrueshmëria në kërkim të drejtësisë.
Ajo, që garon me listën e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, tha se po çuditet me përkrahjen që ka marrë deri më tash, megjithëse nuk ka mundësi të zhvillojë fushatën në Kosovë. Krasniqi jeton në SHBA.
“Përkrahjen që po e marrë është e çuditshme për mua, nuk e kam pritur një gjë të tillë. Për shkak të shëndetit nuk kam mundur të marrë pjesë në fushatën në Kosovë dhe të jem aktive, por po shkon mirë dhe të shohim më vonë si do të dalë rezultati”, tha ajo.