Luis Suarezi, që nuk ka shënuar ende gol në Ligën e Kampionëve këtë edicion, dhe Joao Felix, e ardhmja e të cilit është në pikëpyetje, do ta përbëjnë sulmin e skuadrës së Atletico Madridit që do të përpiqet ta eliminojë Chelsean në 1/8 e finales së Championsit. Këtë e ka pranuar trajneri i Atleticos, Diego Simeone, të martën në konferencën për shtyp.
Simeone me bindje të plotë ka thënë se Suarezi dhe Felixi mund ta thyejnë Chelsean, që është në epërsi 1:0 pas fitores në ndeshjen e parë të luajtur në Bukuresht të Rumanisë, ku Atletico Madridi ishte në cilësinë e vendasit.
Ndeshja e dytë do të luhet të mërkurën mbrëma në stadiumin “Stamford Bridge” prej orës 21:00 dhe Simeone pret kualifikimin e skuadrës së tij në çerekfinale.
“Objektivi i vetëm në këtë ndeshje është fitorja dhe kualifikimi tutje”, ka deklaruar Simeone. “Më duhet t’i gjej të gjitha mënyrat e duhura për të arritur këtë”.
Suarezi nuk ka shënuar gol në ndeshjet në udhëtim në Ligën e Kampionëve që nga shtatori i vitit 2015, kur realizoi në Romë me fanellën e Barcelonës. Prej asaj kohe ai ka shënuar 17 gola në Champions dhe të gjithë në stadiumin “Camp Nou” me fanellën e Barcelonës. Këtë edicion Suarezi nuk e ka realizuar asnjë gol në këtë garë në pesë paraqitje me Atletico Madridin, ndonëse në La Liga ka shënuar 18 gola në 24 paraqitje.
“Tash është momenti i duhur për Suarezin që të shënojë gol dhe pres shumë prej tij në këtë ndeshje. Suarezi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, një sulmues që ka ndikim në lojën tonë”, ka pranuar Simeone.
Simeone ka insistuar se për ta eliminuar Chelsean mbështetet edhe te portugezi Felix. Kohët e fundit forma e Felixit është vënë në dyshim në mediumet spanjolle, që po aludojnë se 21-vjeçari ka ndarë mendjen për t’iu bashkuar Manchester Cityt në fund të këtij edicioni, për ta zëvendësuar Sergio Agueron.
“Edhe Felixi është një lojtar i rëndësishëm dhe kemi nevojë për të në këtë ndeshje. Shpresoj që të jetë në formën më të mirë, sepse më shumë se kurrë na duhet tani”, ka thënë Simeone që ka folur edhe për Chelsean, që e ka vlerësuar kundërshtare tejet të vështirë.
“Përballemi me një ekip të fortë, i cili ka treguar paraqitje të mira dhe nuk di për humbje nën drejtimin e trajnerit të ri. Mirëpo, ne do të dalim në fushë vetëm për një rezultat: fitore. Prej fillimit të ndeshjes do të sulmojmë për ta arritur këtë synim dhe kam besim të madh te Suarezi e Felixi”.
Ndërkohë, trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka pranuar se ekipit të tij i është dhënë një avantazh i madh duke mos qenë e nevojshme të udhëtojë për ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos në një shtet tjetër. Ndeshja e parë u luajt në Bukuresht si rezultat i kufizimeve të udhëtimit nga Anglia për në Spanjë. Tucheli ka marrë drejtimin e Chelseat në fund të janarit, duke zëvendësuar Frank Lampardin e shkarkuar dhe rezultatet e gjermanit deri më tani janë impresive. Chelsea nuk di për humbje në 12 ndeshjet e fundit, ku në dhjetë prej tyre nuk ka pranuar gol. Ndeshjen e parë ndaj Atleticos e fitoi falë golit të sulmuesit Olivier Giroud, që realizoi me “gërshërë”.
“Ne e kemi avantazhin që luajmë në shtëpi dhe nuk jemi të detyruar të udhëtojmë. Kjo është mirë për ne. Duhet pranuar që ende asgjë nuk ka përfunduar dhe na nevojitet një paraqitje tjetër madhështore për të vazhduar tutje në Ligën e Kampionëve. Kemi respekt të madh për Atleticon pasi është lider në Spanjë”, është shprehur Tucheli. “Besoj se jemi të gatshëm edhe për një ndeshje tjetër të fortë dhe kam besim të madh në lojtarët e mi. Kemi pasur një formë fantastike në ndeshjet e fundit, të cilën pres ta vazhdojmë deri në fund. Është e rëndësishme të kualifikohemi tutje në Ligën e Kampionëve, garë që secili ekip dëshiron ta fitojë”.
Kampioni në fuqi i Evropës, Bayern Munichu, nuk është i sigurt nëse do ta ketë në dispozicion portierin Manuel Neuer dhe sulmuesin e krahut, Kinglsey Coman, për ndeshjen e kthimit kundër Lazios. Si Neuer ashtu edhe Coman nuk kanë stërvitur të martën për shkak të telasheve dhe trajneri i Bayernit, Hansi Flick, ka pranuar se duhet ta presë ditën e ndeshjes për të kuptuar nga stafi mjekësor nëse dy lojtarët janë në gjendje të mirë fizike për të luajtur. Ndeshja e kthimit mes Bayernit dhe Lazios luhet gjithashtu të mërkurën mbrëma, në stadiumin “Allianz Arena” të Munichut. Bavarezët kanë epërsi të thellë dhe me një këmbë janë në çerekfinale pasi në ndeshjen e parë në Romë, kanë mposhtur Lazion me shifrat 4:1.
“Comani kishte probleme muskulore, derisa Neueri është i ftohur dhe për këtë arsye nuk u stërvitën me ekipin. Duhet të presim deri pak para ndeshjes për të kuptuar gjendjen e tyre fizike, shpresoj që janë mirë”, ka pranuar Flicku të martën në konferencën për shtyp. “Ne duam ta fitojmë këtë ndeshje, ndonëse kemi rezultat të mirë nga dueli i parë. Synimi është që të vazhdojmë me formën e mirë edhe pse Lazio nuk ka çka të humbë”.
Ndërkohë, trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, ka pranuar se përmbysja e rezultatit nga ndeshja e parë, do të jetë një mision shumë i vështirë për ekipin e tij, për të mos thënë i pamundur. Inzaghi ka thënë se Lazio tashmë ka arritur objektivin e këtij sezoni në Champions, duke u kualifikuar në 1/8 e finales.
“Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu dhe synimin prej fillimit e kemi pasur të arrijmë deri në fazën e nokautit, që është hera e parë pas dy dekadave. Ne ia kemi dalë mbanë dhe për këtë jam krenar. Megjithatë, edhe në ndeshjen e kthimit do të luftojmë dhe do të mundohemi të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi Inzaghi. “Kemi përballë kampionin në fuqi të Evropës dhe duhet ta shijojmë çdo moment të kësaj ndeshjeje. Duhet të jemi agresivë dhe të mos pësojmë humbje”.
E mërkurë
Chelsea – Atl. Madrid (1:0)
Bayern M. – Lazio (4:1)
*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para