Partia Socialdemokrate ka vendosur flamuj të zinj në disa pjesë të qytetit të Prishtinës, kjo si shenjë kujtimi për gratë që ishin viktimë e dhunës.
Sipas tyre, vrasjet e grave janë të paralajmëruara, dhe se ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje.“Vrasjet e grave janë të paralajmëruara. Ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje. Kur fjala “neglizhencë” përshkruan mosveprimin institucional, dihet që është gjuhë e zbutur për pjesëmarrje në vrasje.
Patriarkati bashkëjeton me strukturën shfrytëzuese ekonomike dhe rendit represiv. Kufizimet dhe kushtëzimet që i vendosen gruas gjatë jetës janë po të njëjtat që në fund e vrasin”, thuhet mes tjerash në njoftimin e kësaj partie në rrjetin social “Facebook” ku publikuan edhe disa fotografi nga ky aksion.