Fjalë Kyçe

Kaq milionë euro u shpenzuan për veteranët për dy muaj

Kaq milionë euro u shpenzuan për veteranët për dy muaj

Ende pa nisur mirë procesi gjyqësor për rastin “Veteranët”, kjo kategori po vazhdon t’i marë pensionet ashtu siç është planifikuar.

Prokuroria Speciale  e Kosovës kohë më parë kishte ngritur aktakuzë për mashtrime me listat e veteranëve, shkruan lajmi.net.

12 anëtarë të Komisionit për Verifikimin e Statusit të Veteranit po akuzohen se duke përdorur ndikimin e tyre, bënë që në listat e veteranëve të futen edhe emra që nuk ishin fare pjesë e UÇK-së.

Të rrejshëm apo meritor, veteranët po i kushtojnë mjaft shumë buxhetit të Kosovës.

Në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka bërë e ditur se vetëm gjatë muajit janar janë ndarë 6 milionë e 418 mijë euro për pensionet e kësaj kategorie.

Shumë pak më e madhe u shpenzua në shkurt. Gjatë këtij muaji u harxhuan hiç më pak se 6 milionë e 423 mijë euro për pensionet e veteranëve të UÇK-së.

Rrjedhimisht për dy muaj, për veteranët e UÇK-së u dhanë 13 milionë euro.

E përmes një përllogaritje të thjeshtë, buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës këtë vit për veteranët mund të mos mjaftojë.

Nëse përcillet trendi mujor i shpenzimeve për pensionet e kësaj kategorie, kostoja vjetore mund të shkojë deri në mbi 70 milionë euro.

E nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është bërë e ditur se për këtë vit janë planifikuar vetëm 57 milionë e 911 mijë euro.

Kujtojmë, se seanca e mbajtur më 28 janar në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin “Veteranët” dështoi të mbahej për shkak të mospërmbushjes së kushteve ligjore.

Seanca e radhës është paraparë të mbahej më 14 mars.