Fjalë Kyçe

Kurti godet presidentin Thaçi: Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët

Kurti godet presidentin Thaçi: Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se që katër muaj prej se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ia ka dërguar letrën presidentit të ShBA-së, Donald Trump, Thaçi ka sabotuar veten.

Kurti, ka përkujtuar edhe paragrafin e tretë të kësaj letre në të cilin shkruhej: “Më lejoni t’ju siguroj personalisht se si President i Kosovës unë do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar…”.

Sipas Kurtit, dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët, shkruan Gazeta Alo.

Postimi i tij i plotë:

Si e sabotoi Presidenti vetveten

Katër muaj u bënë sot nga letra të cilën Presidenti i Kosovës ia dërgoi Presidentit të ShBA-ve, z. Donald Trump. Paragrafi 3 ishte interesant aty, andaj le ta përkujtojmë: “Më lejoni t’ju siguroj personalisht se si President i Kosovës unë do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar…”.

Pra, edhe i gatshëm edhe i vullnetshëm për kompromiset e nevojshme! Jo vetëm i gatshëm, por edhe i vullnetshëm. Jo ndonjë kompromis, por kompromiset e nevojshme. Me këso gatishmërie e dëshire nuk mund të ketë dialog e marrëveshje, por veçse pazar (personal) për kapitullim (shteti). Kur je tepër fleksibil karshi Serbisë, kjo tashmë nuk paraqet më fleksibilitet, por nënshtrim e dorëzim. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë dialog me këso gatishmërie e vullneti paraprak për kompromiset e nevojshme.

Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët. Dhe, ekstremist nuk është vetëm ai që a priori nuk do dialog, por edhe ai që a priori do marrëveshje. Pra, ekstremist është pikërisht ai që pranon gjithçka duke kërcyer te ujdia pa negociata fare. Me këtë ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten. Sepse me servilizëm kaq të sforcuar s’mund t’i pëlqesh dot askujt.

Megjithkëtë Presidenti ka dashur të na e bashkojë Luginën me Kosovën? E kam dëgjuar në konferenca shtypi në Prishtinë, nuk e pashë në këtë letrën e 8 janarit që ia nisi Presidentit Trump në Ëashington D.C../Gazeta Alo/