Fjalë Kyçe

Majlinda Kelmendi arrin në gjysmëfinale

Majlinda Kelmendi arrin në gjysmëfinale

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, e ka siguruar një vend në gjysmëfinale të Grand Slamit të Dusseldorfit, në Gjermani.

Në çerekfinale, Majlinda e mposhti xhudisten koreane, Bokyeong Jeong, me ippon, në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë. Me këtë fitore, kosovarja i është afruar edhe më shumë medaljes së dytë të artë për këtë vit, shkruan Gazeta Express.

Fillimisht, kosovarja kishte qenë duke humbur me rezultat teknik, mirëpo afër fundit të ndeshjes, ajo u tregua shumë e fortë për kundërshtaren e saj, e cila tentonte ta sigurojë një vend në gjysmëfinale duke humbur kohë.

Në rrethin e tretë, xhudistja pejane e mposhti xhudisten braziliane, Eleudis Valentim, ndërsa në rrethin e dytë, triumfoi kundër xhudistes gjermane, Verna Thumm.

Të dyja këto ndeshje, në rrethin e dytë dhe të tretë, Kelmendi i kaloi duke i mposhtur kundërshtaret me ippon, ndërsa rrethin e parë e kaloi pa luftë.

Në gjysmëfinale, kosovarja do të përballet me xhudisten italiane Odette Giuffrida.

Kjo është gara e dytë e xhudos në të cilën Kelmendi po merr pjesë këtë vit, pasi që pushoi në Grand Slamin e Parisit. Në garën e parë, në Grand Prixin e Tel Avivit, ajo e kishte fituar medaljen e artë.

Majlinda është garuesja e vetme që po e përfaqëson Kosovën, pasi xhudistët tjerë, Akil e Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, pushuan.

Këtë formë të mirë, xhudistja pejane do të tentojë ta shfaqë edhe në ndeshjet e radhës, në Grand Slamin e Gjermanisë, ku marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete. Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020.