Qytetarët e Pejës kanë protestuar sot kundër ndërtimit të hidrocentralit në Lumbardh.
E, lidhur me kërkesat e qytetarëve të Pejës ka reaguar edhe avokati i popullit Hilmi Jashari. Përmes, një komunikate për media avokati i popullit konsideron se është më se e nevojshme që institucionet ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën e qytetarëve për mbrojtjen e lumit/mjedisit si një e vetme dhe e patjetërsueshëm, në mënyrë që të bëhet balancim i drejtë në mes të interesave të qytetarëve për mbrojtje të mjedisit, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të zhvillimit të hidro-energjisë, shkruan Gazeta Alo.
Në komunikatë thuhet se, Avokati i Popullit, si mbrojtës, mbikëqyrës dhe promovues i të drejtave të njeriut, është duke i monitoruar nga afër reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lumbardhë.
“Edhe pse zhvillimi i formave të ndryshme të sigurimit të energjisë së qëndrueshme është proces i pashmangshëm dhe kërkesë e kohës, Avokati i Popullit sjell në vëmendje se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pacenueshme dhe bazë e rendit juridik në Republikës së Kosovës; dhe kërkon që shteti ta vlerësojë me kujdes interesin në mes të rëndësisë së prodhimit të energjisë përmes hidrocentraleve në raport me ndikimin në mjedis, që mund të jetë i rëndë’, thuhet më tutje.
Avokati i Popullit rikujton të gjithë se e drejta e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe me standardet ndërkombëtare, proces i cila i jep mundësi secilit që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton.
“Institucionet, në veçanti, duhet ta respektojnë të drejtën e qytetarëve për informim për çështjet mjedisore, si proces i pashmangshëm, i cili duhet t’i paraprijë çdo projekti me ndikim në mjedis”
E drejta për informata mjedisore, e drejta e publikut në vendimmarrje mjedisore dhe qasja në drejtësi janë të drejta të njeriut dhe parime mbi të cilat bazohet i tërë legjislacioni që rregullon fushën e mjedisit në vend.
Institucioni i Avokatit të Popullit është duke e ndjekur nga afër edhe ndërtimin e hidrocentraleve të tjera në vend, të cilat po ashtu kanë nxitur pakënaqësi te qytetarët./Gazeta Alo/